Kosova
Udhëzuesi praktik i diasporës: Çfarë duhet të dini para se të niseni për në Kosovë
Bazuar në intervistën me Adriatik Stavilecin, zyrtar për komunikim dhe qasje në dokumente zyrtare në Doganën e Kosovës
Çdo verë, qindra mijë mërgimtarë nisen drejt Kosovës me makina të mbushura plot me dhurata, pajisje dhe ushqime për familjarët. Pjesa më e madhe e udhëtimit kalon pa asnjë problem, por mjafton një gabim i vogël në kufi për ta kthyer kthimin në shtëpi në një përvojë të lodhshme, me gjoba dhe vonesa. Ky udhëzues përmbledh, në mënyrë të thjeshtë dhe praktike, gjithçka që duhet të dini para se të arrini në pikën kufitare.
1. Mallrat dhe dhuratat: sa mund të sillni pa pagesë doganore
Udhëtarët mund të sjellin mallra për përdorim personal dhe dhurata pa paguar detyrime doganore, përderisa qëndrojnë brenda kufijve të lirimit. Këto kufij vlejnë vetëm për mallra me karakter jo-tregtar, pra mallra që nga lloji dhe sasia nuk lënë dyshim se janë për shitje. Sapo vlera tejkalohet ose mallrat kanë karakter tregtar, ato duhet të deklarohen dhe i nënshtrohen detyrimeve doganore dhe TVSH-së.
Kufijtë e lirimit nga detyrimet doganore varen nga mënyra e hyrjes në Kosovë:
- Trafiku rrugor (me veturë ose autobus): 300 € për çdo udhëtar.
- Trafiku hekurudhor (me tren): 300 € për çdo udhëtar.
- Trafiku ajror (me aeroplan): 430 € për çdo udhëtar.
- Udhëtarët nën moshën 15 vjeç: deri në 150 €.
“Bagazh personal” konsiderohet tërësia e valixheve që udhëtari i paraqet në Doganë me të arritur. Mbajtësit e karburanteve (kanistrat) nuk hyjnë në bagazhin personal.
Vlen të mbahet mend se limiti është për person, jo për veturë: një familje me katër anëtarë që udhëton rrugor ka një lirim total prej 1.200 €. Nëse vlera tejkalohet qoftë edhe pak, deklarimi vullnetar te zyrtari kushton gjithmonë më pak se gjoba për mosdeklarim.
Kufijtë sasiorë për duhanin, alkoolin dhe parfumet
Përveç vlerës në euro, disa artikuj kanë kufij të veçantë sasiorë. Këto lirime nuk vlejnë për udhëtarët nën moshën 17 vjeç:
- Cigare: 200 copë, ose 100 cigarillos, ose 50 puro, ose 50 g duhan për tymosje.
- Alkool mbi 22%: 1 litër.
- Alkool deri në 22% ose verë shkumëzuese: 1 litër.
- Verë e pagazuar: 2 litra.
- Parfum: 50 g, ose ujë tualeti: 0,25 litra.
- Medikamente: sasia që i përgjigjet nevojave personale.
2. Ushqimet, mishi dhe produktet bujqësore nga Zvicra dhe BE-ja
Po, ka kufizime. Për produktet me origjinë shtazore (mishi dhe produktet e mishit, qumështi dhe nënproduktet e tij), si dhe për disa produkte bimore, zbatohen rregulla të veçanta veterinare dhe fitosanitare. Për produkte të caktuara mund të kërkohen certifikata veterinare ose fitosanitare dhe leje nga institucionet kompetente.
Këshilla praktike: mos u nisni me sasi të mëdha mishi, sallami apo djathi të paambalazhuar duke menduar se janë “për familje”. Pikërisht këto produkte ndalohen më shpesh në kufi. Informohuni paraprakisht para udhëtimit nëse produkti që doni ta sillni kërkon dokumentacion shoqërues.
3. Gabimet më të shpeshta që çojnë në gjoba
Sipas përvojës së Doganës, shumica e problemeve nuk vijnë nga keqdashja, por nga moskuptimi i rregullave. Gabimet që përsëriten më shpesh janë:
- Mosdeklarimi i mallrave që tejkalojnë kufijtë e lejuar.
- Deklarimi i pasaktë i vlerës ose i sasisë së mallrave.
- Tentimi për të kaluar mallra me karakter tregtar si bagazh personal.
- Mosdeklarimi i parave mbi pragun ligjor prej 10.000 €.
- Transportimi i mallrave që kërkojnë leje ose certifikata pa dokumentacionin përkatës.
Rregulli i artë: nëse keni dyshime se diçka mund ta tejkalojë kufirin ose të kërkojë deklarim, deklarojeni. Transparenca te zyrtari doganor është gjithmonë më e lirë dhe më e shpejtë se sanksioni i mëvonshëm.
4. Automjeti dhe zhdoganimi
Hyrja me veturë me targa të huaja
Automjetet me targa të huaja që hyjnë përkohësisht në Kosovë nuk i nënshtrohen zhdoganimit, përderisa përdoren sipas rregullave të importit të përkohshëm dhe nuk synohet regjistrimi i tyre në Kosovë. Sipas legjislacionit në fuqi, vetura e regjistruar jashtë lejohet të qarkullojë në Kosovë për përdorim privat deri në 6 muaj brenda një viti kalendarik, me kusht që:
- Vetura të jetë në pronësi të një personi me vendbanim të zakonshëm jashtë Kosovës.
- Vetura të jetë e regjistruar dhe e siguruar rregullt në vendin e origjinës.
- Të ketë policë sigurimi të vlefshme për territorin e Kosovës.
Gjatë kësaj periudhe nuk kërkohet deklaratë doganore, por drejtuesi duhet të jetë në gjendje të dëshmojë vendbanimin e tij jashtë Kosovës, nëse kërkohet. Nëse vetura mbetet në Kosovë përtej 6 muajve, ajo duhet të paraqitet në Doganë për t’u trajtuar me një procedurë të lejuar (import i përkohshëm ose zhdoganim i plotë).
Vetura e huazuar ose me targa në emër të tjetërkujt
Po, mund të hyjë, me kusht që drejtuesi të ketë autorizim të vlefshëm për përdorimin e automjetit, dokumentin e regjistrimit, patentë-shoferin dhe sigurimin ndërkombëtar të vlefshëm sipas rastit.
A ka ndryshime për vitin 2026?
Jo, nuk ka ndryshime në kufizimin për importin e automjeteve për zhdoganim. Vazhdon të zbatohet rregulli që në Kosovë nuk mund të importohen për regjistrim vetura më të vjetra se 10 vjet, dhe vetura që nuk e plotësojnë standardin Euro 4. Ky kufizim nuk zbatohet për veturat që hyjnë përkohësisht me targa të huaja.
Dokumentet që duhet t’i keni gjithmonë me vete: dokumentin e regjistrimit të automjetit, patentë-shoferin e vlefshme, policën e sigurimit të vlefshme për Kosovën (kartoni jeshil ose sigurim kufitar) dhe autorizimin me shkrim nëse vetura nuk është në emrin tuaj.
5. Produktet “Made in Kosova” drejt Zvicrës
Kur ktheheni, shumë mërgimtarë marrin me vete verë, djathë, ajvar apo raki si dhurata. Dogana e Kosovës nuk vendos kufizime për eksportin e sasive të vogla për përdorim personal. Megjithatë, kujdesi këtë radhë duhet të jetë te shteti ku hyni, në këtë rast Zvicra ose vendet e BE-së, sepse ato kanë kufijtë e tyre për importin e alkoolit, produkteve ushqimore dhe atyre me origjinë shtazore.
Për sasi komerciale ose për produkte që kërkojnë certifikata veterinare apo fitosanitare, nevojitet dokumentacioni përkatës. Para nisjes, kontrolloni rregullat e vendit ku po hyni, sidomos për produktet shtazore (mish, djathë, sallam), të cilat shpesh kanë kufizime strikte.
6. Paratë (mjetet monetare)
Çdo person që hyn ose del nga Kosova me 10.000 € ose më shumë, ose kundërvlerën në valuta të tjera apo instrumente të negociueshme, është i detyruar t’i deklarojë pranë Doganës në pikën kufitare. Deklarimi është pa pagesë dhe kryhet me shkrim, duke plotësuar formularin përkatës ku tregohet shuma dhe burimi i verifikueshëm i saj.
Pasojat e mosdeklarimit janë konkrete: Dogana shqipton një gjobë prej 25% të shumës totale për të cilën ekzistonte detyrimi për deklarim, dhe mund të sekuestrojë 25% të mjeteve nëse gjoba nuk paguhet menjëherë. Nëse personi nuk mund ta dëshmojë burimin e parave, zyrtari ka të drejtë të sekuestrojë të gjithë shumën. Kundër vendimit, pala ka të drejtë ankese brenda 30 ditëve. Pragu prej 10.000 € vlen për person dhe për të dyja drejtimet, si në hyrje ashtu edhe në dalje.
Lista e kontrollit para nisjes
- A janë dhuratat dhe pajisjet brenda limitit (300 € rrugor/hekurudhor, 430 € ajror, 150 € për fëmijë nën 15 vjeç)?
- A i kam respektuar kufijtë sasiorë për duhanin dhe alkoolin?
- A kam mish, djathë ose produkte shtazore që mund të kërkojnë certifikatë?
- A i kam të gjitha dokumentet e veturës (regjistrim, patentë, sigurim, autorizim)?
- A bart 10.000 € ose më shumë? Nëse po, përgatit deklarimin.
- Në çdo dyshim, deklaro te zyrtari doganor.
Pikat kufitare dhe kohët e pritjes (pik veror, indikative)
- Merdarë (Kosovë–Serbi): deri 2–5 orë në pik; më e mira: 02:00–06:00
- Han i Elezit (Kosovë–Maqedoni e V.): 10–15 min, në pik deri 60 min; më e mira: mëngjes
- Vërmicë/Morinë (Kosovë–Shqipëri): nën 10 min, në pik 30–45 min; më e mira: para 08:00 / pas 22:00
- Kullë (Kosovë–Mal i Zi): 10–20 min; zakonisht e qetë
- Bozhaj / Hani i Hotit (Mal i Zi–Shqipëri): deri 1–3 orë në pik; udhëtoni natën
Piku: fundi i korrikut–gushti, e premte/e shtunë.
Kontrolloni gjendjen live të Policisë së Kosovës para nisjes.
Dokumentet
- Fëmijët: dokument udhëtimi i vet; letër pëlqimi e noterizuar nëse udhëtojnë pa njërin prind
- Kafshët: mikroçip, vaksinë tërbimi e vlefshme, certifikatë veterinare BE (max 10 ditë para hyrjes)
- Automjeti: leje qarkullimi, patentë, sigurim, autorizim nëse s’është në emrin tuaj; patenta e huaj vlen 1 vit
Sigurimi shëndetësor zviceran në Ballkan
- EHIC NUK vlen në Kosovë/Ballkan. Sigurimi bazë (KVG) mbulon vetëm urgjencat, deri në dyfishin e kostos kantonale.
- NUK mbulon: trajtime të planifikuara, repatriimin në Zvicër, kontrollet rutinë. Merrni sigurim shtesë udhëtimi që mbulon
urgjencat + repatriimin. Ruani faturat dhe raportet mjekësore.
Karta jeshile – ndryshimet 2026
- Karta jeshile nuk vlen në Kosovë (përveç marrëveshjeve me BKS) → blini sigurim kufitar, min. 15 ditë.
- Nga 15 marsi 2026: automjeti me targa të huaja qarkullon deri 3 muaj nga hyrja; pronari qytetar i Kosovës duhet leje
qëndrimi të vlefshme.
E-Diaspora
-
Për 20-vjetorin, kompania Emi AG shpërblen punëtorët me një udhëtim në Kosovë dhe Shqipëri Në shenjë mirënjohjeje për përkushtimin dhe kontributin e stafit gjatë dy dekadave të fundit, kompania Emi... -
Chair Airlines zgjeron flotën me avionin e pestë -
Gjermani
Talenti shqiptar nga Presheva që po shkëlqen në boksin gjerman -
Arijoni promovohet në ekipin e parë të Bayern Munichut -
Dua Lipa përzgjedh librin “Free” të Lea Ypit për klubin e saj të leximit
Jeta në Zvicër
-
Shitjet e paneleve diellore bien për herë të parë në Zvicër Shitja e sistemeve fotovoltaike ra me pothuajse 30 përqind vitin e kaluar, një ngadalësim i parë... -
Vdekshmëria e tepërt që lidhet me valën e të nxehtit të qershorit mbetet shumë më e ulët se ajo e vitit 2003 -
Më shumë se 9,000 notarë kaluan liqenin e Cyrihut -
Kantoni zviceran merr masa emergjente për të ndihmuar fermerët gjatë thatësirës -
Zvicra kërkon më shumë fleksibilitet nga kontrolli kufitar i BE-së












