Integrimi

URACult bën bashkë shqiptarët në Köln

Në prag të njëvjetorit të ekzistimit të saj, shoqata kulturore nga Kölni URACult e.V. organizoi mbrëmjen e saj të radhës në të cilën ju ofroi të pranishmëve tri orë të këndshme.

  • albinfo.ch

  • albinfo.ch

  • albinfo.ch

Besnike traditës së saj, shoqata kishte zgjedhur një lokacion të përshtatshëm të cilin artistët dhe rreth 100 mysafirët, e shndërruan atë në një dhomë të madhe ndeje, mu ashtu si është natyra e eventeve të shoqatës.

Nikoqirja e mbrëmjes, Xhevaire Isufi e cila njëherit është edhe anëtare e kryesisë së URACult-it, informoi të pranishmit mbi punën e shoqatës dhe bëri një prezentim të shkurtë të saj.

Idetë janë të shumta dhe vullneti për t’i realizuar ato nuk mungon por realizimi i tyre gjithnjë varet nga mundësitë financiare, e të cilat shoqatave jofitimprurëse si URACult-i, ju mungojnë.

Kush është Smajli? Kush është Vendimi? Ishin këto pyetjet e plakatës së këtij eventi, në fillimin e të cilit, kurreshtja e publikut ishte e madhe të njihen me protagonistët e mbrëmjes.

Të riun Smajl Hoxhën nga rrethina e Malishevës, pasioni për muzikën burimore me çifteli e sharki, e kishte shtyer atë që në fillim të viteve të shtatëdheta, të merr rugën për në Gjermani. Atje ai donte te blinte një magnetofon e të kthehej prapë në vendlindje. Ai u kthye atje, por tek 40 vite më vonë.

Në Gjermani ai krijoi familje, punoi me zell në uzinat e Ford-it, ishte politikisht aktiv por bleu edhe  dhjetëra magnetofona e krijoi një arkiv të pasur muzikor. Historia e Smajlit është e ngjajshme me shumë histori tjera të bashkëkombasve të tij në Gjermani, Zvicër apo dikund tjetër. Këtë histori, e përmbledh në një film 45 minutësh, vajza e Smajlit Zymrete Hoxha e cila së bashku me kolegun e saj Philipp Majer, nëpërmjet këtij filmi i ngrehin lapidar familjes së Smajl Hoxhës.

Më shumë se pasionin e Smajlit për magnetofona e muzikë, për patriotizmin dhe aktivitetin politik të tij, filmi shtjellon një temë shumë të rëndësishme. Jetën e emigrantëve, e sidomos jetën e fëmijëve të tyre në mes dy kulturave. Kthimin në vendlindje që shumë gastarbeiterë e kishin planifikuar të bëhet më herët, ndodh shumë dekada më vonë. Ata kthehen si penzionerë por pa fëmijët e tyre të lindur dhe integruar në perëndim.

“Me trup jam këtu në Kosovë por me mendje jam gjithnjë te fëmijët e mi në Gjermani”, flet bashkëshortja e Smajlit e cila tani në Gjermani qendron vetëm disa javë në vit.

Në film, por edhe në bisedën e moderatores me Zymrete Hoxhën pas shfaqjes së filmit, autorja e re rrëfen për përvojën e saj dhe kontradiktat ndërmjet kulturës shqiptare dhe asaj gjermane. E rritur në një frymë tradicionale e patriotike në mes koncerteve, tubimeve dhe protestave shqiptare në diasporë në njërën anë e në anën tjetër me qëndrim rrebelues si pjesë e lëvizjes punk, z. Hoxha duket se ka gjetur balancin dhe harmoninë ndërmjet dy kulturave. Docentja Hoxha e cila ligjëron në shkollën e arkitekturës në Saarbrücken dhe punon edhe në një byro për punë kreative artistike, ka gjithmonë sytë nga vendlindja. Ajo shfrytëzon çdo moment të lirë të jetë pranë prindërve të saj në Kosovën e pavarur, për të shijuar me ta, atë për të cilën babai i saj kishte ëndërruar gjatë gjithë jetës së tij në Gjermani.

Filmi u pëlqye shumë nga të pranishmit. Shumë prej tyre kishin edhe përvojë të ngjajshme me atë të Zymryte Hoxhës. Sinçeriteti, thjeshtësia dhe natyraliteti i protagonistëve të filmit, i jep nje notë edhe më të mirë këtij filmi i cili këtë vit u prezentua në Dokufest, e në bashkëpunim me URACult-in filmi u shfaq edhe në Mitrovicë dhe Vushtrri.

Për pjesën muzikore të mbrëmjes u kujdes kitaristi i ri me prejardhje nga Gjakova Vendim Thaqi. Dashuria për muzikën e solli atë në Univerzitetin e Köln/Aachen ku studioi Masterin në kitarën klasike në muzikën solo dhe atë kamertale si dhe pedagogji instrumentale.

Si “Young Artist in Residence”, në Universitätin Sailsbury në SHBA, ai ishte asistent i Prof. Dr. Danielle Cumming.

Kitaristi i pasionuar ishte pjesëmarrës i festivaleve të ndryshme. Në “Guitar Festival” që u mbajt në Tiranë para disa muajsh, Vendimit  i takoi vendi i dytë. Me një spektër të gjerë aktivitetesh si mësues në shkolla të ndryshme të muzikës, solokitarist, këngëtar, komponist, anëtar i bendit Autumn Colurs etj. Vendim Thaqi pasuron skenën muzikore jo vetëm të Gjermanisë perëndimore por edhe të vendeve fqinje siç është Belgjika ku edhe momentalisht jeton.

Duke i dhuruar mbrëmjes një performancë të shkëlqyer, Vendim Thaqi e morri publikun në një udhëtim muzikor nëpër disa shekuj për të prezentuar vepra, duke filluar nga Johann Sebastian Bach e deri te kompozitorët e sotëm modern.

Publiku dhe organizatorët un ndanë të kënaqur me eventin treorësh.

“Edhe pse jemi mësuar me nivelin e mirë të organizimeve ty kësaj shoqate, URACulti- sonta na befasoi sonte me një mbrëmje me dimensione tjera. Numri i mysafirëve dhe reagimet e tyre, tregojnë se ne kemi nevojë për organzime të tilla” fliste Faton Beqiri nga Bonn-i, i cili përcolli shfaqjet me bijën e tij.

Publiku në të cilin ishte i pranishëm edhe pianisti dhe dirigjenti i njohur Desar Sylejmani dhe disa mësues të shkollave shqipe nga Kölni dhe rrethina, përgëzoi organizatorët të cilët edhe kësaj radhe ofruan hyrje gratis.

“Ka qenë një mbrëmje madhështore. Kishim një publik të shquar dhe të vetëdijshëm për artin e mirëfilltë. Ndër tjerash, veprat artistike të prezentuara sonte u quajtën kryevepra dhe akte trimërie. Kjo dëshmon që cilësia e artit dhe kulturës me prejardhje shqiptare, zë vendin e duhur edhe në disaporë. Shoqata URACult edhe një herë më shumë dëshmon se sa është nevojshme promovimi i kulturës shqiptare”, thuhet në deklaratën e URACult-it pas mbrëmjes.

„Projekti u realizua plotësisht dhe i tejkaloi pritjet e mia.  Kjo na shtyn edhe më shumë të mos i ndahemi rrugës së nisur“, u shpreh Bashkim Meholli, kryetari i URACult-it.

„Kemi projekte të shumta, të cilat realizohen dhe kontribojnë në arritjen e qëllimeve të shoqatës. Projekti i radhës që do ti prezentohet publikut, planifikohet të realizohet në fillim të vitit 2016. Besimi në të mirën e artit dhe kulturës tonë është ai që na bën të punojmë për shoqatën”, tha Meholli.

Mbrëmja i solli shoqatës edhe disa anëtarë të rinjë dhe ishte reklamë e mirë që kompanitë apo individët të japin donacione për kultivimin e kulturës shqiptare në diasporë.

„Problemet tona kanë karakter ekonomik, por besoj se me ato ballafaqohet çdo organizatë me karakter jofitimprurës”  përfundon Meholli, i cili së bashku me kolegët e tij po i japin një frymë të re komunitetit shqiptar në Gjermani.