Lajme
Ushqime të rrezikshme në treg, si të informoheni për tërheqjet e produkteve në Zvicër?

Skandalet shëndetësore të vitit 2022, përfshirë picat Buitoni dhe çokollatat Kinder që përmbanin baktere Escherichia coli apo salmonelë, çuan në tërheqje të shumta produktesh nga tregu. Përse ndodhin kaq shpesh këto tërheqje dhe si mund të jemi të informuar për to?
Përgjigjet i jep Manel Nobel, përgjegjës i sektorit të Koordinimit dhe Mbikëqyrjes në Zyrën Federale për Sigurinë Ushqimore dhe Çështjet Veterinare (FSVO).
Çdo javë, programi “On en parle” merr një numër të konsiderueshëm njoftimesh për tërheqje produktesh nëpërmjet shërbimit RecallSwiss të Konfederatës, të aksesueshëm nga kushdo përmes faqes zyrtare.
Vetëm në mars 2025, rreth njëzet produkte u tërhoqën nga tregu.
Arsyet kryesore për tërheqje: baktere, trupa të huaj, alergjenë dhe rrezik lëndimi
Kontaminimi mikrobiologjik me baktere si Escherichia coli, Salmonella ose Listeria është shkaku më i zakonshëm për tërheqje. Këto baktere mund të shkaktojnë sëmundje serioze dhe në disa raste edhe vdekje, veçanërisht te individët e ndjeshëm, transmeton albinfo.ch.
Në vend të dytë janë trupat e huaj, si për shembull copëza druri të gjetura në patatinat Alnatura apo pjesë plastike të verdha në spinaqin e ngrirë të së njëjtës markë. Më pas, vijnë rastet e alergjenëve të pa deklaruar, si prania e lajthive në kremin me arra indiane dhe bajame të prodhuar nga Chocolatier Jacot SA.
Gjithashtu, ka edhe tërheqje artikujsh për përdorim të përditshëm. Shkaqet më të zakonshme janë rreziku nga mbytja apo djegia që vjen nga lodrat dhe veshjet për fëmijë, apo rreziku nga substanca toksike si formaldehidi që lëshohet nga disa produkte shtëpiake, si një tas sallate bambuje i markës Maxi Bazar dhe Conforama. Tërheqjet gjithashtu ndodhin për shkak të rreziqeve si goditja elektrike, mbytja apo ngufatja.
Përgjegjësia e prodhuesve për njoftim
“Nëse haset ndonjë problem, prodhuesit janë të detyruar ta njoftojnë kantonin përkatës, i cili nga ana e tij duhet të njoftojë shërbimin tonë. Ka luhatje nga viti në vit, por në përgjithësi numri i paralajmërimeve publike në Zvicër ka mbetur i qëndrueshëm. Kjo tregon që sistemi i sigurisë ushqimore në Zvicër funksionon mirë,” thotë Manel Nobel.
FSVO ka për detyrë të informojë median dhe publikun. “Tërheqjet publikohen gjithmonë në faqen tonë zyrtare dhe shoqërohen me një komunikatë për shtyp. Një burim tjetër i rëndësishëm është aplikacioni RecallSwiss,” shton Nobel. “Nga ana tjetër, edhe prodhuesit janë të detyruar të informojnë konsumatorët, qoftë në dyqane apo përmes kanaleve të tyre.”
Një aplikacion për të qenë gjithmonë i informuar
Aplikacioni RecallSwiss mund të shkarkohet në telefon, por vetëm përmes faqes zyrtare. Nuk ofron njoftime automatike – për këtë duhet të abonoheni përmes shërbimeve me SMS ose email. “Të gjitha hapat për instalim gjenden në uebfaqe,” sqaroi Nobel.
Po nëse gjendet një produkt jo i përshtatshëm? “Është e rëndësishme të njoftohet prodhuesi ose vendi ku është blerë produkti. Gjithashtu, mund të plotësohet një formular në faqen e RecallSwiss. Autoritetet më pas do të marrin masat e nevojshme, duke vlerësuar shkallën e rrezikut,” përfundon Nobel.
E-Diaspora
-
Diaspora mbështeti masivisht Partinë Socialiste në zgjedhjet e Shqipërisë Në zgjedhjet e 11 majit, diaspora shqiptare mori pjesë për herë të parë duke votuar me...
-
Dr. Fatime Imeri në krye të Rrjetit të Bizneseve të Diasporës në Zvicër
-
Volketswil: Të dielën zhvillohet turneu i shkollave shqipe në futboll
-
Lea Ypi hap festivalin e Vjenës, kërkon të drejtë vote për migrantët
-
Kosovari mohon akuzën për tejkalim shpejtësie: “Ka qenë vëllai im binjak”
Jeta në Zvicër
-
Lajmet kryesore nga Zvicra për këtë javë Rregullat e reja zvicerane mund të kufizojnë imigracionin nga BE-ja, dhe një çift holandez pa miq,...
-
Komuna malore zvicerane evakuohet pjesërisht për shkak të kërcënimit nga rrëshqitjet e dheut
-
Kur ka të drejtë qiradhënësi juaj zviceran t’ju nxjerrë nga shtëpia?
-
Çfarë është “certifikata familjare” e Zvicrës dhe kush duhet ta ketë atë?
-
Hotelet në Zvicër me bilanc pozitiv