Futboll

Vazhdojnë reagimet për vdekjen e futbollistes shqiptare

“Pusho në paqe Florijana. Zemra ime është me ty dhe familjen tënde në këto çaste të vështira”, ka shkruar Kosovare Asllani

Ish-futbollistja shqiptare, Fatmire Alushi, që e ka përfaqësuar Gjermaninë, ka shprehur ngushëllimet e saj pas lajmit për vdekjen e Florijana Ismailit.

Trupi i pajetë i futbollistes së Young Boys u gjet të martën pas kërkimeve katërditore të 24-vjeçares, e cila ishte zhdukur pas hedhjes në Liqenin Como në Itali.

“Pusho e qetë Flori. Pafundësisht e pikëlluar me këtë lajm. Ngushëllimet e mia familjes dhe të gjithë atyre që e kanë dashur Florin, le të ketë një vend të bukur në Parajsë”, ka shkruar Alushi, e cila ka qenë idhulli  Florijanës në futboll, përcjell albinfo.ch.

Kosovare Asllani, futbollistja shqiptare që është kualifikuar në gjysmëfinale të Kampionatit Botëror me Suedinë, e ka publikuar një fotografi të Florijanës me mbishkrimin: “Pusho në paqe Florijana. Zemra ime është me ty dhe familjen tënde në këto çaste të vështira”.

Për Pajtim Kasamin, ishte dita më e keqe në karrierën e tij. “Lutjet dhe mendimet e mia janë me familjen e Florijana Ismailit”, ka shkruar ai.

Federata Zvicerane e Futbollit ka lëshuar një komunikatë ku ka shprehur ngushëllime për familjen e Florijanes.

“Shoqata e Futbollit të Zvicres ka detyrën e dhimbshme për të informuar për vdekjen e lojtarës së kombëtares, Florijana Ismaili. Ne të gjithë jemi të mërzitur, të prekur thellë dhe shumë, shumë të trishtuar.24-vjeçarja duhej të linte jetën e saj të re gjatë një aksidenti banje në liqenin e Comos. Ajo nuk kishte dalë pas një rënieje në ujë nga një anije me qira dhe kishte munguar që nga e shtuna pasdite. Kërkimet nga autoritetet italiane ishin të pasuksesshme për momentin. Gjatë të martës u gjet Florijana Ismaili. Florijana Ismaili ka përfunduar 33 ndeshje ndërkombëtare për ekipin kombëtar zviceran gjatë pesë viteve të fundit. Në klubin e saj, BSC Young Boys, ajo udhëhoqi skuadrën e parë si kapitene në fushë.Federata Zvicerane e Futbollit shpreh ngushëllimet e saj të sinqerta familjes, të afërmve dhe miqve të Florijana Ismaili dhe dëshiron të gjithë forcën në këtë kohë të vështirë”, thuhet në komunikatën e federates zvicerane.

Edhe kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, është shprehur i pikëlluar që humbën një futbolliste siç ishte Florijana Ismaili.

“Me trishtim të thellë e mora lajmin për gjetjen e trupit të pajetë të më të dashurës suaj, futbollistes me shumë vlera, Florijanës! Lajmi për zhdukjen e vajzës suaj na ka tronditur të gjithëve në Kosovë dhe të gjithë luteshim që ajo ta kalojë këtë sprovë, por ja që tani fatkeqësisht jemi të detyruar që të lutemi që shpirti i saj të prehet në paqe. Në këto momente të vështira për Ju, në emrin tim, KE të FFK-së, klubeve dhe të gjithë komunitetit të futbollit në Kosovë, ju lutem që të pranoni ngushëllimet tona më të sinqerta për humbjen e më të dashurës suaj. Ikja e hershme Florijanës, e cila la gjurmë në futbollin zviceran dhe e përfaqësojë kombin shqiptar në mënyrën më të mirë të mundshme si në klubin e saj Young Boys ashtu edhe në Kombëtaren e Zvicrës, ka shkaktuar dhembje të madhe tek mbarë opinioni në Kosovë. Gjithmonë do ta kujtojmë si një vajzë të përkushtuar dhe si një futbolliste të nivelit botëror”, ka shkruar Ademi.

Edhe presidenti i FIFA-s, si dhe shumë futbollistë botëror e klube kanë reaguar për vdekjen e futbollistes shqiptare.