Integrimi

Vazhdon debati mbi fushatën në gjuhën shqipe të Përparim Avdilit

Për zgjedhjet kantonale të Cyrihut me 12 prill, një kandidat ka vendosur që fushatën e tij ta bëjë në gjuhën shqipe. Një gjë e tillë është e rrallë, dhe pothuajse e paparë në Zvicër

 

Pasi që disa medie në gjuhën gjermane kanë trajtuar javën e kaluar fushatën e kandidatit të FDP-së për Kantonin e Cyrihut Përparim Avdilit, të zhvilluar me video dhe pankarta në gjuhën shqipe, me këtë janë marrë edhe mediet në gjuhën frënge. Televizioni Publik Zviceran në gjuhën frënge RTS i ka kushtuar rastit, materialin në vijim.

Me broshura dhe video në gjuhën shqipe, Përparim Avdili, 27 vjeçar me dy shtetësi, dëshiron “ta shtrijë grabujën” sa më gjerë për të joshur më shumë se votuesit e zakonshëm gjatë zgjedhjeve kantonale të Cyrihut të së dielës së ardhshme.

Përparimi shprehet i zhgënjyer që pjesëmarrja në votime nuk ka tejkaluar 35% katër vite më parë dhe për këtë arsye ai dëshiron t’i prekë të huajt të cilët posa kanë pranuar shtetësinë zvicerane, dhe të cilët nuk janë shumë të motivuar për të votuar.

“Në rast se ekziston një mundësi për t’i prekur njerëzit në këtë mënyrë, atëherë duhet të bëhet!” tregon kandidati nga radhët e partisë liberale radikale (FDP).

“Gjuha shqipe është për mua gjuha amtare. Po edhe gjermanishtja, sepse me atë gjuhë jam rritur.”

Posterët në gjuhën shqipe kanë sjellë më shumë reagime pozitive sesa negative, sipas Përparim Avdilit, i cili shpjegon se pjesa më e rëndësishme e fushatës së tij bëhet në gjuhën gjermane.

Sipas Céline Maye, udhëheqëse e shërbimit të kohezionit kulturor dhe delegate për të huajt në kantonin e Neuchâtel, kjo mënyrë të bërjes fushatë është shumë pozitive.

“Ndjehem shumë mirë që një zviceran i ri ndjehet krenar me prejardhjet e tij të shumta. Shihet se ai djalosh e ka kuptuar se në këtë mënyrë emri i tij do të shfaqet në më shumë lista zgjedhore dhe do të rriten shanset e tij për t’u zgjedhur. Duke folur me gjuhën e nënës, ai mund të prekë shumë njerëz të origjinës së njëjtë me të, pa

varësisht se a u pëlqen programi i tij” shprehet Maye.

E pyetur nga RTS se a tregon Avdili një shembull të keq të integrimit me këtë rast, ajo thotë se integrimi është respekti i secilit apo secilës dhe është gjetja e një gjuhe të përbashkët në mes të individëve, pavarësisht se a janë zviceranë apo të huaj.

“Në Cyrih, ka shumë zviceranë që votojnë, dhe vetëm ata e kanë këtë të drejtë. Prandaj si i huaj me shtetësi zvicerane, njohja e një gjuhe të huaj është një avantazh për të arritur rezultate më të kënaqshme”.

Në lidhje me përqindjen e pjesëmarrjes në zgjedhje nga zviceranet me origjinë të huaj, ajo shprehet se është e vështirë të vendoset ndonjë statistikë për shkak se nuk ka dallim të një individi zviceran apo të huaj kur ai person është me shtetësi. Megjithatë, vërejmë se në kantonet ku të huajt e kanë të drejtën e votës, participimi i tyre është shumë i ulët. Dhe është konstatuar, sipas Maye, që ata të cilët nuk votojnë janë personat e moshuar dhe personat pa kualifikime.

“Ekziston po ashtu një mosbesim nga disa qytetarë që të mos votojnë sepse kanë shumë kujdes nga politika, dhe besimi karshi politikës është në rënie e sipër. Kjo nuk është vetëm në Zvicër, por edhe në Evropë. Personat me prejardhje të huaj janë të njoftuar me korrupsionin, dhe është e vështirë që të gjejmë një shtet në të cilin politikanët nuk janë pasuruar. Por kjo mbetet vetëm hipotezë” tregon Céline Maye.

E pyetur se çfarë duhet të bëhet për t’i shtyrë votuesit të dalin me numër më të madh, ajo përgjigjet: “Duhet të bëjmë më shumë sesa të informojmë, gjithmonë ka më shumë për t’u bërë. Duhet t’i informojmë në gjuhën e tyre. Sigurisht se ne nuk bëjmë fushata por bëjmë përpjekje që ata ta kuptojnë më mirë sistemin politik të Zvicrës. Duhet të kuptojnë që mund të kontribuojnë në Zvicër edhe në mënyra të tjera, si për shembull duke qenë pjesë të shoqatave të ndryshme. Në fund të fundit, duhet të kuptojnë se demokracia direkte është më e fuqishme kur njerëzit votojnë dhe e shprehin zërin e tyre”.


LAJME INTERESANTE NGA INTERNETI