Lajme

Venecia kërkon ndihmë pas vërshimeve shkatërruese

Autoritetet lokale të qytetit të famshëm italian, Venecia, kanë kërkuar ndihmë nga njerëzit anembanë botës për rregullimin e pjesëve të shkatërruara të zonave historike pas një vargu të vërshimeve shkatërruese.

Kryetari i Venecias, Luigi Brugnaro, e ka hapur një llogari bankare për ata që kanë mundësi të ofrojnë përkrahje financiare. Në rrjetet sociale, ai shkroi: “Venecia është krenaria e Italisë dhe trashëgimia e secilit. Duke iu falënderuar ndihmës suaj, qyteti do të shkëlqejë përsëri”.

Sidoqoftë, besohet se qyteti ka pësuar dëme prej miliarda eurove. Zona e mbrojtur nga UNESCO-ja u dëmtua rëndë nga vërshimet më të mëdha që nga viti 1966 të martën në mbrëmje. Uji i dëmtoi shtëpitë, dyqanet, restorantet, muzetë dhe monumentet.

Vërshimet u përsëritën edhe të mërkurën, të enjten dhe të premten. Niveli i ujit të martën e kësaj jave u rrit për 187 centimetra. Autoritetet ende nuk e kanë dhënë shifrën zyrtare të dëmeve, por besohet se vërshimet do t’i kushtojnë Venecias rreth një miliard euro.

Bota e kulturës dhe artit është zotuar se do të ofrojë përkrahje për qytetin e goditur nga vërshimet. Opera e Milanos, La Scala, ka premtuar se do të grumbullojë fonde për Operën e Venecias, shkruan “The Guardian”, transmeton GE, përcjell albinfo.ch.