Kosova

Vepra e dr. Salih Krasniqit, një akuzë e fortë për krimet e luftës mbi shqiptarët

Të hënën, në ambientet e Konsullatës së Republikës së Kosovës në Cyrih, është mbajtur një aktivitet kushtuar veprës së Prof. Dr. Salih Krasniqit

Afër 27 vite pas përfundimit të luftës në Kosovë, plagët që hapi ajo, janë ende të hapura. Po ashtu përgjegjësia për krimet e bëra vazhdon të mohohet nga autorët e tyre, gjegjësisht shteti serb.

Për të evidentuar këto krime, një kontribut të shquar ka dhënë mjeku dhe pjesëmarrësi i tri luftërave në trojet shqiptare në fund të shekullit të kaluar, prof. dr. Salih Krasniqi. Ai, duke qenë vetë dëshmitar i këtyre krimeve të kryera në fushën e tij, në shëndetësi, ka pasur mundësinë dhe guximin që të bëhet kronisti më besnik dhe bartësi i dëshmive përmes librave të publikuar në këtë cilësi.

Për të prezantuar librat e tij edhe pra publikut të diasporës, të hënën në ambientet e Konsullatës së Republikës së Kosovës në Cyrih, është mbajtur një aktivitet kushtuar veprës së Dr. Krasniqit.

Në muret e sallës ku mbahej takimi, ishin vendosur fotografi me pamje nga lufta, të nxjerra nga libri i Krasniqit. Ato flisnin për krimet ende të pandëshkuara mbi personelin mjekësor dhe pacientët shqiptarë në Kosovë.

Mbrëmjen e ka shpallur të hapur nikoqiri, udhëheqësi i Konsullatës së Republikës së Kosovës, z. Vigan Berisha. Ai ka kërkuar nga të pranishmit të mbajnë një minutë heshtje në nderim të mbi 370 martirëve shqiptarë të vrarë në Mejë të Gjakovës, pikërisht 27 vjet më parë.

Ai ka prezantuar me pak fjalë veprat e dr. Krasniqit, duke folur për kohën dhe kontekstin specifik në të cilin kanë mbështeten ato. Në këtë vazhdë, z. Berisha ka vënë në pah meritat e veçanta të autorit të librave, i cili ja ka dalë të nxjerrë një numër të madh dëshmish për krimet mbi shqiptarët, duke marrë mbi vete rrezikun e drejtpërdrejtë nga strukturat kriminele serbe.

Në vazhdim, me fjalë përshëndetjeje është paraqitur, shkrimtari dhe veprimtari Muharrem Blakaj nga Lidhja e Krijuesve Shqiptarë në Mërgatë, në cilësinë e bshkorganizatorit. Ai ka përgëzuar dr. Krasniqin për punën e paçmueshme që ka kryer, në shërbim të historisë dhe të drejtësisë për viktimat e luftës, në veçanti ato në mesin e personelit mjekësor dhe pacientëve shqiptarë.

Në emër të Lidhjes së Mjekëve Shqiptarë në Zvicër një fjalë e ka mbajtur Prof. Dr. Alban Y. Neziri. Ai, duke qenë koleg me dr. Krasniqin dhe njëherësh luftëtar dhe ish i burgosur politik i ka bërë një vlerësim të lartë punës së tij në drejtim të dokumentimit të krimeve serbe mbi shqiptarët, gjatë luftës në Kosovë.

Të theksojmë se dr. Salih Krasniqi ishte ndër themeluesit e shtatë spitaleve ushtarake gjatë tri luftërave çlirimtare në Kosovë, Luginë të Preshevës dhe në Maqedoninë e Veriut.

Një koleg tjetër i prof. Dr. Salih Krasniqit, dr. Salih Sefa, ish konsulli i parë i Kosovës në Cyrih, ka folur me konsideratë të lartë për autorin e librave që po  promovoheshin si dhe ka evokuar kujtime nga njohja me të. Dr. Sefa ka vlerësuar lart punën e dr. Krasniqit dhe në veçanti guximin e tij qytetar të treguar në kohën kur punonte në QKUK duke qenë “në gojë të ujkut”, i rrethuar nga kriminelë të njësive paramilitare serbe por edhe nga kolegë të tij serbë që kishin injoruar betimin e hipokratit, duke u bërë bashkëkryes të krimeve më makabre mbi pacientët shqiptarë.

Paraqitja në vazhdim e autorit të librave të promovuar, prof. dr. Salih Krasniqit ka qenë e përshkuar me emocione. Ai ka sjellë në kujtesën e të pranishmëve atmosferën ngjethëse që mbretëronte në QKUK ku ai punonte deri në datën e sulmeve të NATO-s mbi caqet serbe. Duke folur për aktet kriminale që ndodhnin në spital, ai është ndalur në përshkrimin e atyre më të llahtarshmeve që shkonin edhe deri në vrasjen e pacientëve. Ndër aktet kriminale që kulmonin me absurditete të llojit të vet i ka përmendur formulimin “terrorist” me të cilin kolegët e tij serbë shënonin profesionin e disa pacientëve të tyre shqiptarë. Duke shkelur kështu katërçipërisht betimin e hipokratit, i cili i obligonte për kujdes mjekësor të të gjithë pacientëve, pa paragjykime.

Një dëshmitar dhe viktimë e një absurditeti të tillë ishte edhe atëherë 17 vjeçari, Naim Qufaj, i cili për fat kishte shpëtuar dhe ishte i pranishëm në këtë mbrëmje në Cyrih.

Me një fjalë të frymëzuar i është drejtuar publikut edhe botuesi i librave të dr. Krasniqit, z. Ramiz Tafilaj, nga shtëpia botuese “Jalifat Publishing Houston”, SHBA. Ai ka folur për rrethanat që kanë sjellë botimin e këtyre librave dhe për njohjen me dr. Krasniqin. Ai ka përshkruar rrugën që veprat e Dr. Krsniqit kanë kaluar ps përkthimit në gjuhën angleze. Ato, falë angazhimit të z. Tafilaj janë prezantuar dhe shpërndarë në shumë biblioteka dhe pika kyçe në SHBA dhe vende të tjera, duke hapur rrugë për njohjen në nivel ndërkombëtar të krimeve serbe mbi shqiptarët e Kosovës

Veprat e promovuara 

“Krimet Serbe në Kosovë (1998–1999): Rastet e pacientëve dhe personelit mjekësor në QKUK”;

“Krimet Serbe në Kosovë (1998–1999): Vrasja dhe zhdukja e 45 punëtorëve shëndetësorë shqiptarë”

“Krimet Serbe në Kosovë (1998–1999): 120 pacientë të vrarë në Kirurgji dhe Ortopedi të Spitalit të Prishtinës”

“Kirurgët Abdominalë në QKUK (1998–1999)”.