Kosova

Veseli: Çdo vonesë për Demarkacionin e dëmton shtetin

Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, ka bërë të ditur se ende nuk është caktuar seanca për Marrëveshjen e Demarkacionit me Malin e Zi.

“Çështja e shënjimit të kufirit ka ardhur mbrëmë, nuk ka mundur të vijë aq shpejt në seancë plenare. Njëherë duhet të kalojë në Komisionin për Politikë të Jashtme, pastaj në momentin që vjen do ta procedojmë menjëherë”, ka thënë Veseli, duke shtuar se kjo çështje nuk do të duhej të jetë e pushtetit apo opozitës, por duhet të trajtohet si çështje shtetërore.

Veseli, pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, ka ripërsëritur edhe njëherë qëndrimin e tij se Demarkacioni me Malin e Zi duhet të kalojë në Kuvend, sa më shpejt që është e mundur, përcjell albinfo.ch.

“Çdo vonesë, vetëm jemi duke e dëmtuar shtetin tonë dhe perspektivën qytetare drejt integrimeve euro-atlantike”, ka thënë ai.

Ndërsa, Bilall Sherifi nga NISMA ka bërë të ditur se kjo parti vazhdon të ketë të njëjtin qëndrim për Demarkacionin. Sipas Sherifit, shumica e deputetëve, të cilët kanë marrë votë gjatë këtyre zgjedhjeve, kanë qenë kundër demarkacionit dhe vazhdojnë të jenë kundër dhe sipas tij, ky nuk është fundi i botës.