Kosova

Veseli: Pa kaluar Demarkacioni, nuk hiqen vizat

“Qëndrimi im, por edhe i subjektit tim që përfaqësoj është i qartë. Marrëveshja me Malin e Zi duhet të ratifikohet”, deklaroi kryeparlamentari Veseli. Por, ndyshe nga ai kryeministri Ramush Haradinaj është kundër marrëveshjes

Kryetari i Kuvendit të Kosovës dhe njëherësh kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, ka thënë se marrëveshjen për shënjimin e kufirit me Malin e Zi duhet të kalojë, në mënyrë që të forcohet sovraniteti i Kosovës dhe për t’i hapur rrugë liberalizimit të vizave. Ai këto komente i bëri gjatë një takimi me shefen e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Natalia Apostolova dhe ambasadorë të vendeve të BE-së të akredituar në Kosovë.

Kryeparlamentari Veseli i informoi ata me punën e Kuvendit, duke theksuar se ajo është intensifikuar, në veçanti në çështje që ndërlidhen me agjendën evropiane transmeton rtk.

“Qëndrimi im, por edhe i subjektit tim që përfaqësoj është i qartë. Marrëveshja me Malin e Zi duhet të ratifikohet. Marrëveshja duhet të kalojë dhe vota jonë është “pro”, siç e kemi thënë në vazhdimësi. Gjithsesi, unë besoj se duhet të ketë një konsensus të plotë për këtë marrëveshje”, theksoi Veseli, i cili bie ndesh me kryeministrin Ramush Haradinaj, i cili është kundër Marrëveshjes.

Por kryetari Veseli theksoi se edhe Bashkimi Evropian duhet të veprojë shpejt dhe qartë sa i përket liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.

Ndryshe, kryeministri Ramush Haradinaj edhe pse e ka proceduar për në Kuvend Marrëveshjen për demarkacion, ai dhe ligjvënësit e partisë së tij, AAK, janë kundër marrëveshjes. Dhe sipas parashikimeve marrëveshja në Kuvend do të dështoj, e më pas Kosova do të mundohet që këtë çështje ta dërgoj në Komisionin e Arbitrazhit ndërkombëtar.