Lajme

Veseli reagon pas vendimit të Kurtit, thotë se ia vodhi idenë

Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, ka reaguar pas vendimi të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, për largimin me kushte të taksës ndaj Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës. Veseli thotë se Kurti nuk i respektoi të drejtat e autorit kur e mori këtë vendim.

“Asgjë e re nga Albini! Të paktën, ta respektonte të drejtën e autorit. Sepse, vendimi i tij për taksën dhe reciprocitetin qenka huazuar nga ideja e propozimit tim të janarit të vitit 2019, të cilin, si çdo gjë tjetër, ai e pati refuzuar”, ka shkruar Veseli në faqen e tij në Facebook.

Ai thotë se Kurti sa ishte në opozitë kishte ideale të tjera, ndërsa tani që mori pushtetin po e djeg veten më shpejt se sa që kanë pritur të tjerët.

“Si opozitar, ishte në gjendje ta digjte Kosovën dhe të përdorte dhunë dhe jetë të rinjsh idealistë për të ardhur në pushtet. Sot, kur udhëheq Qeverinë, ideali i tij po shihet se është vetëm mbajtja e pushtetit. Duke u shantazhuar, po e djeg veten më shpejt sesa që kanë pritur të tjerët”, shton ai.

“E mendonte veten si më të mençurin dhe më të fortin; sikur të ishte vetë Kosova. Po del që është edhe i padijshëm, edhe i dobët, edhe mashtrues, dhe që Kosova në krye me të mund të rrezikohet seriozisht”.

Kurti vendosi të largonte taksën për lëndën e parë që vjen nga Serbia dhe Bosnja prej datës 15 mars. Ndërsa më 1 prill do të hiqet taksa tërësisht në një periudhë 90 ditore. Nëse Serbia vazhdon politikën e saj ndaj Kosovës, atëherë Kurti ka thënë se do vendosë reciprocitetin prej datës 15 qershor, përcjell Albinfo.ch.