Kosova

Vetëm diaspora mund ta ngjallë ekonominë kosovare

Bajram Krasniqi, punën e tij 43 vjeçare në Zvicër e ka kurorëzuar me një investim në Kosovë. Sot ai është pronar i Hotel Internacional Prishtina në Prishtinë

“Pas 2 viteve në Shkollën e Mesme në Prishtinë më 1977 kam shkuar për të punuar në Zvicër. Kam shkuar për 3 muaj dhe kam mbetur sot e atë ditë atje. Për 43 vjet  në Zvicër jam marrë vetëm në hotelieri”, nis rrëfimin e tij Bajram Krasniqi. Një rrëfim të ngjashëm kanë shumë mërgimtarë tanë, të cilët në mërgim shkuan “vetëm për pak”, “vetëm për tre muaj” por mbetën atje një jetë të tërë. Por, për ndryshim nga shumë prej tyre, Bajram Krasniqi ka arritur të kthehet në Kosovë me një investim të rëndësishëm. Ai sot është pronar i “Hotel Internacional Prishtina”, në Prishtinë, fryt i mundit të tij shumëvjeçar në Zvicër

“Fillimi ka qenë në Zinal, vendin ku mbahet Kupa e Botës në lëshim dhe sllallom të madh në skitari. Kam filluar aty me hotelieri, që  në moshën 19-vjeçare. Kam shkuar në Cyrih në vitin 1978 kur ka pasur fare pak shqiptarë”, tregon Bajrami. “Prej vitit 1994 jam bërë i pavarur në Zvicër, pasi kam ndërruar disa vende, të gjitha në hoteleri”.

Me ndryshimin e rrethanave në vendlindje, pas lufte, së bashku me djalin tim vendosëm të investojmë në Kosovë. kështu, në vitin 2006 kam blerë tokë në Prishtinë dhe e kemi nisur ndërtimin e hotelit, nga zeroja. Motoja që na ka udhëhequr në këtë punë ka qenë puno-fito-investo”, vazhdon z. Krasniqi.

“E kam ndërtuar hotelin vetëm me kreditë që kam marrë në Zvicër. Kam marrë më shumë se një milion franga”.

Foto: Rromir Imami

Shumica e mysafirëve, ndërkombëtarë

Dëshira e tij ka qenë që këto të holla t`i investonte ose në vendlindje ose në vendin ku jeton tani e sa vite. “Unë kam dashur të investoj ose në Zvicër ose në Kosovë, në asnjë vend tjetër. Por fillimisht nuk kam mundur të investoj në Zvicër dhe, ashtu si shumë shqiptarë tjerë nga diaspora, kam investuar në Kosovë. Kam depërtuar shumë shpejt në Kosovë”, shprehet Bajrami. Ndoshta vetëm 4 muajt e fillimit kemi pasur probleme dhe jo më shumë. E kemi mbajtur hotelin me grupe mysafirësh të jashtëm, grupe sportive si nga futbolli, basketbolli, hendbolli, etj.

Pra, gjithsesi mbizotëron numri i mysafirëve ndërkombëtarë. 80  për qind të mysafirëve i kemi ndërkombëtarë. Kemi njerëz të biznesit dhe të sportit, sidomos të futbollit, thotë Krasniqi. Dhe kur jemi te futbolli, ai nuk mundet ta lë pa përmendur miqësinë me legjendën e futbollit kosovar, Fadil Vokrrin e ndjerë. “Unë e kam ndihmuar të ndjerin (Fadil) Vokrri rreth pranimit të Kosovës në UEFA, pasi e kisha hotelin afër selisë së shtëpisë evropiane të futbollit në Zvicër”.

Ndërsa lidhur me diasporën në raport me investimet në atdhe ai ka mendim të qartë: “Unë e shoh diasporën si investitorin numër një në Kosovë. Ne kemi një treg prej 1.5 milionë banorë, që është treg i vogël për investitorët e mëdhenj të huaj”.

albinfo.ch

Pandemia

Sikur çdo veprimtari ekonomike, ashtu edhe hoteleria është duke vuajtur pasojat e pandemisë. Sigurisht, këtu nuk bën përjashtim as hoteli i z. Krasniqi. Pas 19 marsit ka filluar anulimi i rezervimeve dhe deri më 1 qershor hoteli ka qenë i mbyllur. Edhe gjatë verës kemi qenë dobët me punë, pasi ne varemi edhe nga puna në aeroport. Kur ka qenë i mbyllur aeroporti ndikimi te ne ka qenë shumë të madh. Tashmë ka filluar paksa të normalizohet, edhe pse ka mjaft raste me Covid-19. Shteti (Kosova) na ka ndihmuar në tri raste, me ndihma për punëtorët”, nënvizon pronari i Prishtina internacional Hotel.

Mundësi e suksesit në Kosovë është profesionalizmi dhe mos marrja me politikë.

Foto: Rromir Imami

Bajram Krasniqi, nuk ndan mendimin me një shumicë njerëzish, kryesisht mërgimtarësh, të cilët vetëm fajësojnë Kosovën për pasiguri dhe klimë të pafavorshme për investime.

“Ai që thotë se Kosova nuk është e sigurt për investime, gënjen!”

“Kosova është vend i sigurt për investime. Ai që thotë jo, gënjen. Sepse në Kosovë ka kapacitete pune. Unë do të kisha këshilluar që të bëhen investime në fabrika të vogla, familjare. Ne gjithashtu kemi mjaft tokë pjellore dhe mund të investohet edhe në bujqësi. Ne blejmë shumë gjëra në rajon dhe më gjerë, kur mund t’i kemi ato në Kosovë.
Shqiptarët të cilët në vitet 70’ 80’ 90’, por edhe në vitet 2000 kanë depërtuar me biznese në Zvicër, i shoh si një potencial të fuqishëm për të financuar në Kosovë. dihet se shqiptarët në Zvicër janë të lidhur me familjet e tyre në Kosovë. Ata përbëjnë një ndihmë të madhe për ekonominë e Kosovës. Vetëm diaspora mund të investojë në Kosovë, sepse është një vend i vogël dhe mos të pritet që SHBA apo vende tjera të mëdha të investojnë në Kosovë. Prodhimi vendor është problem në Kosovë sepse shumica e shqiptarëve investojnë individualisht dhe jo në shoqëri aksionare. Për shkak se këtu është një mos besim i paimagjinueshëm në njëri-tjetrin dhe e gjitha kjo është si rrjedhojë e politikës.

Gjithsesi, duhet durim për të fituar dhe jo të pritet që fitimet të dalin menjëherë. Për të arritur funksionimin e shtetit sikur në sistemin zviceran duhet të funksionojë drejtësia. Kur të funksionojë drejtësia, rritet interesimi i diasporës për të investuar. Kur të ketë drejtësi, do të ketë më shumë investime nga Kosova.

albinfo.ch
albinfo.ch
albinfo.ch
albinfo.ch