Lajme

Vetëvendosje shënon sensacion, dyfishon votat

Koalicioni PAN (PDK-AAK-Nisma) kanë fituar më së shumti në zgjedhjet e djeshme (34.6 %), ndërsa Lëvizja Vetëvendosje ka mbetur e dyta me 26.7 për qind. LVV , konsiderohet si sensacioni i zgjedhjeve, pasi është subjekti i vetëm politik që ka dyfishuar votat

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) në Kosovë, i ka numëruar shumicën e votave të zgjedhjeve të djeshme parlamentare (mbi 90 për qind), dhe nga rezultatet preliminare, koalicioni që drejtohet nga ish-guerilët e UÇK-së, Ramush Haradinaj, Kadri Veseli e Fatmir Limaj (PDK, AAK, NISMA) që njihët si PAN ka fituar më së shumti vota, 34.6 për qind.

Ndërsa në vendin e dytë është radhitur Lëvizja Vetëvendosje me 26.7 për qind, e cila konsiderohet si sensacioni i zgjedhjeve të djeshme, pasi është subjekti i vetëm politik që ka dyfishuar votat, krahasuar me zgjedhjet e kaluara.

Kurse humbje ka shënuar edhe koalicioni Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca Kosova e Re dhe Alternativa të cilat kanë mbetur në vendin e tretë me 25.8 për qind të votave. Kjo është humbja më e madhe që ka shënuar partia më e vjetër në Kosovë-LDK, e drejtuar për dy dekada nga ish-presidenti Ibrahim Rugova. Lista Serbe, një koalicion i mbështetur nga Beogradi, ka fituar mbi 5 për qind të votave.

Dalja e votuesve në zgjedhjet e djeshme sipas të dhënave të KQZ-së ka qenë mbi 750 mijë apo rreth 42 për qind qytetarë, derisa të drejtë vote kanë pasur mbi 1 milion e 872 mijë. Ndërkaq, procesi zgjedhor është vlerësuari rregullt, me disa incidente të vogla.

Zgjedhjet në Kosovë janë vëzhguar nga më shumë se 29 mijë vëzhgues nga partitë politike, organizatat joqeveritare, nga Bashkimi Evropian si dhe ambasadat e akredituara në Prishtinë.

Pas mesnatës, koalicioni Partia Demokratike e Kosovës, AAK dhe Nisma kanë mbajtur tubimin e parë kremtues me simpatizantët e tyre në Prishtinë duke festuar për Ramush Haradinajn, si kryeministrin e ri të vendit. Ata i janë gëzuar kësaj fitore nga krahu i luftës, edhe pse pritjet kanë qenë shumë më të mëdha, pasi që në zgjedhjet e kaluara vetëm PDK që drejtohej nga Hashim Thaçi, kishte fituar aq vota sa ka fituar koalicioni PAN.

Tubim kremtues ka mbajtur edhe Lëvizja Vetëvendosje. Edhe aty, është thënë se Kosova do ta ketë kryeministrin e ri, dhe ai, sipas Vetëvendosjes do të jetë Albin Kurti.

Ndërkohë, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi pas përfundimit të procesit zgjedhor, ka deklaruar se pret që fituesi i zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, të formojë një Qeveri pro-evropiane. Ai    ka thënë se pret që Qeveria e re të adresojë prioritetet e menjëhershme të vendit.

Por, rezultati i djeshme, sërish nxjerr në sipërfaqe koalicionet e reja, pasi PAN nuk mundet vetë ta formoj qeverinë e vetme. Lëvizja Vetëvendosje ka ritheskuar qëndrimin e saj, se nuk do të bëjë koalicion me krahun e UÇK-së, të cilin e akuzon për keqpërdorime dhe korrupsion. E si alternativë ka mbetur sërish koalicioni PAN-LDK.

Për formimin e Qeverisë së Kosovës, janë të domosdoshme të paktën 61 vota në Kuvend. Por, Gjykata Kushtetuese në zgjedhjet e kaluara ka nxjerr një vendim, sipas të cilës, koalicioni parazgjedhor që ka fituar më së shumti vota, e emëron kryetarin e Kuvendin e rrjedhimisht e formon edhe Qeverinë e re.

Në këtë konstilacion përjashtohet një koalicion i mundshëm i partive të vogla, LVV dhe LDK dhe pakicat. Opsion mbetet edhe qeveri teknike, për shkak të polarizimeve të mëdha politike që kanë krahu i luftës dhe ai që konsiderohet “paqsor”. Minoritet janë obligim kushtetues dhe kushdo që vjen në Qeveri duhet t’i marrë edhe ata në kabinetin qeverisës me dy ose më shumë dikastere.