Kosova

Vjosa Osmani: Emri im nuk do të bëhet pengesë për krijimin e institucioneve

Ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani përmes një reagimi publik ka falënderuar qytetarët e Kosovës, mbështetësit dhe votuesit e Lidhjes Demokratike të Kosovës për besimin e dhënë në zgjedhjet e fundit, duke theksuar se angazhimi i saj do të mbetet i fokusuar në tejkalimin e krizës politike dhe ndërtimin e institucioneve.

Ajo ka thënë se gjatë muajve të fundit ka takuar mijëra qytetarë në gjithë Kosovën dhe se shpresa e tyre për një vend më të zhvilluar dhe më të bashkuar ka qenë motivimi kryesor.

“Dëgjuam shqetësimet tuaja, ëndrrat tuaja dhe shpresën tuaj për një vend më të zhvilluar, më të integruar dhe më të bashkuar. Kjo shpresë ishte forca jonë më e madhe”, ka shkruar ajo.

Teksa ka folur për rolin e saj pas zgjedhjeve, Osmani ka ritheksuar se nuk do të jetë pengesë për formimin e institucioneve të reja.

“Në këtë drejtim, e ritheksoj atë që e kam thënë disa herë: emri im as nuk ka qenë, as nuk është e as nuk do të bëhet pengesë në krijimin e institucioneve”, ka shkruar ajo, transmeton albinfo.ch.

Sipas Osmanit, kontributi i saj do të jetë i përqendruar në tejkalimin e krizës politike dhe funksionalizimin e institucioneve.

“Përkundrazi, i gjithë kontributi im do të jetë i fokusuar vetëm në daljen nga kriza dhe ndërtimin e institucioneve të cilat mbrojnë shtetin, demokracinë, kushtetutën dhe aleancat”, ka deklaruar Osmani.