Tematike
Mediat zvicerane: A do t`i japë fund krizës rezultati i zgjedhjeve në Kosovë?
"Lëvizja Vetëvendosje e Kryeministrit Albin Kurti ka fituar zgjedhjet parlamentare në Kosovë por mbetet për t'u parë nëse kjo fitore do t'i japë fund krizës politike..."
Zgjedhjet parlamentare të mbajtura të dielën në Kosovë kanë ngjallur interes edhe te mediat zvicerane. Përsëritja e tyre e shpeshtë – tre herë brenda 16 muajve të fundit – është në fokus të pothuaj të gjitha raportimeve dhe analizave të publikuara mbrëmë dhe sot nga këto media. Një faktor tjetër që merr vëmendjen e tyre është edhe ndryshimi (rënia) në vota e partisë fituese, Lëvizjes Vetëvendosje gjegjësisht kryetarit të saj, kryeministër në detyrë, Albin Kurti, shkruan albinfo.ch.
“Partia në pushtet Vetëvendosje e Kryeministrit Albin Kurti ka fituar zgjedhjet parlamentare në Kosovë. Ajo mori 43 për qind të votave, por mbetet për t’u parë nëse kjo fitore do t’i japë fund krizës politike të vazhdueshme në vendin ballkanik”, shkruan transmetuesi publik i Zvicrës, SRF.
“Këto ishin zgjedhjet e treta parlamentare në vend brenda 18 muajve. Në zgjedhjet e mëparshme në dhjetor, Vetëvendosje mori 51.1 për qind të votave, pas 42 për qind në shkurt 2025. Megjithatë, parlamenti u shpërbë në prill pasi partitë nuk arritën të bien dakord për një kandidat për postin kryesisht ceremonial të presidentit.
Vetëvendosje do të ketë ende nevojë për partnerë koalicioni për të formuar një qeveri të re. Për më tepër, një kompromis me opozitën është i nevojshëm për të siguruar shumicën prej dy të tretash të nevojshme për të zgjedhur një president të ri”.
Krahas raportimit për rezultatet e zgjedhjeve SRF ka realizuar edhe një intervistë me një analiste shqiptare, gazetaren e lirë nga Zvicra, Adelina Gashi, në përpjekje për të gjetur përgjigjen e pyetjes “përse fitoi sërish Albin Kurti”.
“Mendoj se duhet të shikosh në të kaluarën për ta kuptuar këtë. Albin Kurti erdhi në pushtet nga një pozicion i dobët. Ai është konsideruar prej kohësh një i jashtëm (“outsider”) politik i cili e distancoi veten qartë nga elita politike nën Hashim Thaçin, i cili sundoi deri në vitin 2021, dhe premtimi i fushatës së të cilit në atë kohë ishte kryesisht të luftonte korrupsionin e përhapur në vend. Ai të paktën arriti ta mbante pjesërisht këtë premtim. Popullariteti i Kurtit mund t’i atribuohet edhe reputacionit të tij midis kosovarëve për avokimin e pavarësisë së Kosovës. Sidomos në dialogun me Serbinë fqinje, e cila ende nuk e njeh këtë pavarësi, Kurti ka ndjekur një linjë shumë të pakompromis”, thotë veç tjerash Gashi.
Klasës politike të Kosovës i mungon një kulturë kompromisi. Por kompromisi është i nevojshëm për të formuar një qeveri plotësisht funksionale.
Ndërsa gazeta prestigjioze zvicerane NZZ shkruan: “Partia e majtë nacionaliste e Albin Kurtit fiton, ndonëse me rënie të konsiderueshme”
Pas zgjedhjeve të treta parlamentare në pesëmbëdhjetë muaj, Kosova është në rrezik të rrëshqasë në një bllokim tjetër politik. Kjo është frustruese për popullsinë dhe mund të jetë e kushtueshme”.
Gazeta Berner Zeitung, duke shkruar për rënien e numrit të votave të Kurtit, kujton gjithashtu se votat ende të panumëruara të diasporës pritetn ta përmirësojnë pozitën e Vetëvendosjes. “Mbetet e pasigurt nëse Vetëvendosje, ashtu si në zgjedhjet e mëparshme në dhjetor 2025, ka siguruar një shumicë qeverisëse në koalicion me anëtarët e partive etnike. Rezultatet paraprake të së dielës nuk përfshijnë votat e votuesve kosovarë që jetojnë jashtë vendit. Këta votues mbështesin në masë dërrmuese partinë e Kurtit, e cila mund ta përmirësojë rezultatin e saj me dy deri në tre pikë përqindjeje”.
Megjithatë, shumica superiore prej 80 nga 120 anëtarë të parlamentit duket të jetë ende e paarritshme për ta. Ky numër përfaqësuesish kërkohet në parlament që ai të zgjedhë një pasardhës të ish-Presidentes Vjosa Osmani, mandati i së cilës skadoi më 4 prill.
Kuorumi i mandatuar kushtetues e detyron koalicionin qeverisës të arrijë një konsensus të caktuar me opozitën. Pas largimit të Osmanit nga detyra, një konsensus i tillë nuk mund të arrihej, duke bërë të domosdoshme shpërbërjen e parlamentit dhe thirrjen e zgjedhjeve të reja”, shkruan veç tjerash Berner Zeitung.
E-Diaspora
-
Nga Gjeneva, diaspora shqiptare ngre zërin: “Shqipëria nuk është në shitje” Manifestimi, i organizuar në zemër të qytetit ku ndodhen organizatat më të rëndësishme ndërkombëtare, u shndërrua... -
Sot, LUGINA’S DAY 2026: Ngjarja që bashkon komunitetin shqiptar në Zvicër -
Florim Kadriu: “SVP po i kthen në frikë shqetësimet reale të qytetarëve” -
Përfundon votimi në përfaqësitë diplomatike, votuan 80.85% e të regjistruarve -
Mos t’i mbyllim sytë kur fëmijët kanë nevojë për ndihmë
Jeta në Zvicër
-
Energjia bërthamore po fiton përsëri popullaritet përballë frikës së mungesës së energjisë elektrike Gati 60% e zviceranëve janë në favor të ndërtimit të centraleve të reja bërthamore, sipas një... -
Ngarkesa e punës së mjekëve zviceranë lehtësohet, por ende shkakton shqetësim -
Zvicra voton më 14 qershor: Paga minimale, taksat dhe sigurimi dentar në qendër të vëmendjes -
Zviceranët kanë frikë nga mungesa e energjisë -
Xhaka dhe Rodriguez bëjnë shqiponjën dykrenare në SHBA













