Integrimi

“Vlerat e barazisë i kam trashëguar nga prindërit”

Portret i Daniel Abimi, një personalitet i Lozanës me babain shqiptar dhe nënën zvicerane

Albinfo.ch: Ju jeni fryt i një bashkimi të një nëne zvicerane dhe babai shqiptar. Si keni ndërtuar identitetin tuaj?

Daniel Abimi: Ndërtimi i identitetit është i vështirë vetvetiu kur jeni bir i një shqiptari dhe i një zviceraneje të pjesës gjermane, i lindur në kantonin e Vaudit… Por, prindërit e mi nuk më kanë paraqitur kurrë këtë veçori si një vështirësi. Përkundrazi, ata e parashtronin si një përzierje të karburantit dijetar. Në mënyrë të vetëdijshme ne përpiqemi të marrim më të mirën nga të dyja palët. Duhet thënë se të dy prindërit ishin të huaj në Lozanë, nëna ime ishte nga St. Galleni dhe babai nga Tërnovci i Luginës së Preshevës, prandaj edhe nuk kam pasur kënaqësinë të përfitoj nga ndjenja e rrënjësisë familjare, gjë që lehtëson jetën. Sidomos kur ju hyni në jetën profesionale. Dhe nuk jeni biri i…. Për mua, mund ta quajmë një integrim me marsh të detyruar në tokën e Vaud-it dhe të Lozanës. Si fëmijë e kam ndier se kam qenë pak më ndryshe nga të tjerët dhe në mënyrë të pavetëdijshme ndoshta unë jam munduar me kujdes të veçantë të krijoj dhe të thur miqësi të fortë për të ndërtuar një rrjet social, të cilin prindërit e mi nuk e kishin.

Albinfo.ch: Çfarë lidhjesh keni me kulturën shqiptare?

Daniel Abimi: Kur unë isha fëmijë lidhja ishte shumë emocionale me familjen e babait tim, por për fat të keq, mbeti e kufizuar, sepse unë nuk e flisja gjuhën shqipe. Sot është shumë ndryshe. Të gjithë kushërinjtë e mi flasin frëngjisht në mënyrë të përkryer dhe janë të integruar ashtu si edhe unë. Kjo më lejon mua të mbaj një lidhje me një pjesë të kulturës sime. Kam zbuluar për herë të parë Tërnovcin në vitin 2009.

Albinfo.ch: Ju nuk flisni shqip?

Daniel Abimi : Sigurisht që më vjen keq për faktin se nuk e flas gjuhën shqipe. Babai im nuk kishte shumë raste për të folur shqip. Në fakt, kur pati mbërritur në Zvicër nuk kishte pothuajse asnjë shqiptar tjetër për ta praktikuar dhe për të ma transmetuar edhe mua. Kam mësuar gjermanishten me gjyshen time zvicerane.

Albinfo.ch: Çfarë  ju sjell kjo kulturë e dyfishtë në jetën tuaj të përditshme, por edhe në karrierën tuaj profesionale?
Daniel Abimi: Kontributi i këtij bashkimi shqiptaro-zviceran të prindërve të mi është mjaft paradoksal. Në fakt, babai im kishte një dyqan dhe kishte më pak kufizime kohore sesa nëna ime, e cila punonte në zyrë. Pra, babai im kishte më shumë kohë për t’iu përkushtuar, dhe në mënyrë shumë aktive punëve të shtëpisë. Kjo u bë më pas modeli im në planin e barazisë mes grave dhe burrave. Kam përjetuar një barazi sa i përket ndarjes së punëve në gjirin familjar. Dhe, në atë kohë, ky fakt ishte me të vërtetë një model i rrallë. Mendoj se e kam trashëguar nga babai im një kapacitet për integrim që nga fëmijëria… pra shumë i ri.

Albinfo.ch. Bashkimi i prindërve tuaj është bërë shumë kohë më parë. Si janë perceptuar nga familjet e tyre përkatëse, por edhe nga komuniteti shqiptar në Lozanë?

Daniel Abimi: Nga ana e nënës sime nuk kishte asnjë problem. Dhe, unë nuk mund ta shpjegoj atë. Ishte aq lehtë dhe mirë sa që kurrë nuk i kam shtruar vetes një pyetje të tillë. Në anën e babait tim unë nuk e di se si ka ndodhur. Mendoj se ai ndihej goxha krenar. Kjo ishte pothuajse një shenjë e suksesit. Por ju e dini, në atë kohë ka pasur shumë pak mjete për komunikim dhe është vështirë t’ju përshkruaj perceptimet që mund të ketë pasur familja e babait tim në këtë aspekt.

Albinfo.ch: Na tregoni shkurtimisht historinë e babait tuaj? Babai juaj, nga cili vend vinte ai?

Daniel Abimi : Babai im erdhi në Zvicër dy vjet pas dezertimit të ushtrisë (së Jugosllavisë) në vitin 1948, gjë për të cilin ai u dënua me vdekje. Ai kishte kaluar dy vjet në një kamp refugjatësh në Triestë, para se të përkujdesej për të Kryqi i Kuq dhe të dërgohet në Zvicër. Ai nuk mund të kthehej më në Tërnovc tërë jetën dhe nuk arriti ta shohë të atin e tij përsëri përveç një herë, në vitin 1971, në Stamboll. Nëna e tij kishte vdekur pa pasur mundësi ta shohë përsëri. Unë isha 6-vjeçar kur e kam shoqëruar për të njohur gjyshin tim.

Babai im kishte një dyqan në rrugën “Etraz” në Lozanë. Kam kaluar shumë kohë në dhomën prapa dyqanit të tij. Ai vend ishte shndërruar në një vend takimi për shqiptarët, në një atmosferë të tymosur. Meqë ishte një nga të parët që kishte arritur në Lozanë, ndoshta edhe i pari shqiptar, kur anëtarët e familjes, duke përfshirë edhe familjarë të largët arrinin në Lozanë, ata kishin me vete një numër telefoni, ky numër ishte i babait tim. Shpeshherë zgjoheshim nga telefonatat e policisë (01:00 të mëngjesit), sepse  treni nga Beogradi arrinte në Lozanë dhe shqiptarët që ishin brenda kishin numrin e babait të shënuar në një copëz letre. Babai shkonte, i merrte dhe i sillte në shtëpi, ndërsa nëna përgatiste shtratin e tyre. Të nesërmen babai mundohej t’iu gjente një vend pune.

Kartëvizita

Daniel Abimi, 50-vjeçar, jeton në Lozanë dhe punon në qeverinë e kantonit të Vaud-it, në Departamentin e Financave dhe Marrëdhënieve me Jashtë, si përgjegjës për misionet strategjike. Është një figurë e njohur në rajonin e Lozanës për ushtrimin e tij shumë vjetësh si gazetar në gazetën “24 orë”. Ai gjithashtu ka shërbyer për 10 vjet si delegat i Kryqit të Kuq (Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq). Është anëtar i komitetit të Institutit zviceran për studimeve shqiptare (ISEAL) dhe autor i dy romaneve, ku ngjarjet ndodhin në Lozanë.