Kosova

Vuçiq: Yee më tha të mos e prekim tërësinë territoriale të Kosovës

“Ai më bëri të ditur se më përcolli mesazhin e Amerikës. Duhet ta respektosh, nëse nuk e bën... dihen pasojat...”, tha presidenti serb

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka deklaruar se nuk do të heqë dorë nga Kosova, por ka thënë se Beogradi duhet të gjejë një zgjidhje për marrëdhëniet me shqiptarët.

Ai në një intervistë për televizionin “Pink” foli më hollësisht për takimin e një jave më parë me zyrtarin e lartë amerikan Hoyt Brian Yee, i cili nxiti shumë reagime në Serbi.

“Ai më tha se nuk mund të prekni tërësinë tokësore të Kosovës, ndërsa unë i thashë se ju keni mundur të prekni tërësinë e Serbisë nëntë vjet më parë. Atëherë vlenin rregulla të tjera. Ai më bëri të ditur se më përcolli mesazhin e Amerikës. Duhet ta respektosh, nëse nuk e bën, dihen pasojat…”, tha presidenti serb, duke shtuar se temë e takimit ishte edhe Rusia.

Vuçiq ka thënë sërish se Serbia duhet të provojë të gjejë një marrëveshje historike me shqiptarët për hir të së ardhmes së fëmijëve, përcjell albinfo.ch.