Film

Ujkan Hysaj

Regjisor

Për të shtatën herë me radhë Bazeli ka qenë nikoqir i festivalit për filma të shkurtër «Swikos 2013», festival ky i pari që sjell filma të shkurtër nga Kosova, rajoni dhe Zvicra.

Kësaj radhe pjesëmarrësit  nga Kosova, Zvicra, Shqipëria, Maqedonia dhe Gjermania ishin në një konkurrencë të fuqishme me njëri-tjetrin rreth ndarjes së 6 çmimeve të këtij festivali.

Në të dy netët e festivalit, më 15 dhe 16 nëntor, kur edhe u ndanë çmimet, salla e “Stadt Casino” të Bazelit ishte përplot me aktorë, regjisorë, producentë e adhurues të filmit. E gjithë kjo falë përkrahjes e informimit të medieve kosovare, si dhe albinfo-s në Zvicër.

Për Florim Brajshorin, drejtor i festivalit “Swikos”, pas vështirësive të shumta rreth organizimit të kësaj ngjarjeje kulturore, del që edicioni i 7 i “Swikos”-it të jetë ndër më të suksesshmit.

E gjithë kjo pasi që, sipas tij, filmat pjesëmarrës kanë qenë në nivel të lartë, e që ka qenë një punë e mundimshme edhe për anëtarët e jurisë në ndarjen e çmimeve.

“Është kënaqësi e vërtetë që pas një viti ose më vonë të shohësh që një film pjesëmarrës në” Swikos” merr edhe çmime të rëndësishme ndërkombëtare, siç është çmimi Oskar”,  tha Brajshori, duke aluduar në anëtaren e sivjetme të jurisë, Tali Hamzavi.

Për regjisoren Hamzavi, fituese e çmimit Oskar për film të shkurtër, e po ashtu fituese për regjinë më të mirë vitin e kaluar në Swikos, të qenit anëtare e jurisë në këtë festival ishte një detyrë mjaft e vështirë, duke marrë parasysh, siç thotë ajo, cilësinë e lartë të filmave pjesëmarrës.

Anëtarë të tjerë të jurisë së festivalit ishin edhe këngëtari dhe producenti nga Kosova, Ilir Shaqiri, si dhe aktorja zvicerane, Nathalie Sameli.

Në mbrëmjen e ndarjes së çmimeve merrnin pjesë edhe personalitete të ndryshme nga Kosova dhe Zvicra.

Në mesin e tyre edhe Shukrije Ramadani, në cilësinë e drejtoreshës për Kulturë pranë  Ministrisë së Diasporës, ministri që edhe e përkrah këtë nismë.

Ramadani festivalin Swikos e ka cilësuar si një urë të mirëfilltë lidhëse në mes të artistëve kosovarë dhe atyre zviceranë, që u mundëson shkëmbimin e përvojave të tyre në këtë lëmi.

Nga pjesëmarrësit e shumtë ishte edhe regjisori i ri nga Kosova, Ujkan Hysaj, filmi i të cilit, “Kolonat”, njeh deri më tash një pjesëmarrje në më se 40 festivale ndërkombëtare, me gjithsej 12 çmime të fituara.

Swikos i solli Ujkanit edhe çmimin e 13-të për këtë film, pasi u shpërblye me çmimin: “Filmi më i mirë”, që ishte çmimi kryesor i festivalit.

Ky çmim i mundëson regjisorit edhe një pjesëmarrje të drejtpërdrejtë në një festival filmi në Los Angeles të SHBA-së.

Fitues tjetër që me filmin e tij krijoi një atmosferë majft të mirë e komike në sallë ishte edhe ai i regjisorit zviceran, Luca Zuberbühler, i cili edhe pse aspak nuk e priste një çmim të tillë, megjithatë nga juria u shpërblye me çmimin për regjinë më të mirë.

Çmimet e tjera të cilat u ndanë në këtë festival ishin:

Filmi «Sturm» nga Zvicra për kamerën më e mirë,

Filmi «Heshtja» nga Kosova për montazhin më të mirë,

Astrit Kabashi nga filmi «Kaseta e Dasmës» është shpallur aktori më i mirë.

Fitues në kategorinë e çmimit të publikut ishte filmi “Kaseta e Dasmës” po ashtu nga Astrit Kabashi nga Kosova.

Risi e edicionit të sivjetmë në “Swikos” ishte edhe shfaqja e 3 filmave jashtë konkurrencës, ku vlen të përmendet  filmi  “A më mirë këtu a atje”, i regjisores shqiptare nga Franca, Elena Avdija, ku trajtoheshin tema që kishin të bënin pikërisht me mërgatën kosovare në Zvicër.

Pos ndarjes së çmimeve, festivali ishte edhe një vendtakim për regjisorët edhe producentët nga Kosova dhe Zvicra, ku gjatë një takimi të mbajtur, mes tjerash, është diskutuar edhe për mundësinë e bashkëpunimit dypalësh në realizimin e projekteve të ndryshme filmike.

“Swiss Kos Art” është një organizatë kulturore e themeluar në prill të vitit 2007, ku për qëllim ka përafrimin apo edhe shkëmbimin ndërkulturor zviceran me atë kosovar, gjegjësisht shqiptar. Kjo organizatë, pos festivalit Swikos, merret edhe me organizimin e ngjarjeve të tjera kulturore kosovaro-shqiptare në Zvicër.

Alban Hamza

 Biografi e shkurt

  • Emri, MbiemriUjkan Hysaj
  • Prejardhja:Pristina-Kosovë
  • Vendi ku vepron:Pristina-Kosovë
  • Profesioni:Regjisor

  WHO’S WHO të tjera