Tematike

Willy Knecht: “U bëra baba në shpirt i Fatonit”

“Në Kaçanik dhe në gjithë Kosovën ne e ndjenim veten si në shtëpinë tonë”

Në forumin e internetit të një reviste zvicerane që po shkruante për raportin e Dick Martyt, në mesin e disa emrave shqiptarësh që po kundërshtonin senatorin zviceran hasim edhe një emër zvicerani: Willy Knecht. Ai shprehet i prekur nga ato që thotë Marty në raportin e tij. Se ai flet me kompetencë, veç tjerash e dëshmon edhe me sekuenca nga biografia e tij, ku Kosova zë një vend shumë të rëndësishëm.

Njeriu që ka shkruar këto fjalë nuk është një lexues i thjeshtë që shkruan komente për të mbytur kohën. Willy Knecht di çfarë thotë dhe ka shumë për të thënë. Në intervistën e dhënë për albinfo.ch ai evokon përvojën e tij kosovare, me të gjitha tmerret që ka parë atje. Knecht pranon se asgjë në jetën e tij pas vitit 1999 dhe pas përvojës së Kosovës nuk ka mbetur si më parë.

Ai rrëfen për tre fëmijët “e tij” që me fatin e tyre tragjik kanë arritur ta tronditin një oficer të lartë policie si ai, të rryer e të rrahur në të gjitha ujërat. Njërën nga dhomat e tij në Bönigen të kantonit të Bernës Knecht e ka shndërruar në muze të Kosovës e të shqiptarëve, ku ka vendosur “eksponate” nga lufta e atjeshme dhe ku të pret flamuri shqiptar dhe suvenire të tjera nga Kosova. Edhe diçka: mysafirët e rrallë ai i qeras me “çaj rusi”, shprehi që e ka marrë gjatë qëndrimeve të tij në Kosovë.  

“Kërkuam azil” në Kosovën e shkretëruar nga lufta

“Menjëherë pas përfundimit të bombardimeve të NATO-s Qeveria e Zvicrës kishte vendosur të dërgonte ekspertë për ndriçimin e krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë. Ne do të punonim nën urdhrat e Tribunalit të Hagës. Kam punuar si shef i Departamentit për zjarre dhe eksplozive në Policinë Kriminalistike të Bernës dhe përvoja ime pritej t`i hynte në punë ekipit që do të shkonte në Kosovë. Urdhri ishte të niseshim menjëherë. Më është dashur të vendosja për gjysmë ore”, fillon rrëfimin e tij Willy Knecht, tashmë pensionist 67-vjeçar, për përjetimet që i kanë ndryshuar kahun e jetës.

Fillimisht, për shkak të pushtimit që rusët i bënë aeroportit, ekipi nuk pati mundësi të fluturonte për në Prishtinë. Kështu, u desh të shkonin në Shkup. “Nga Shkupi, bashkë me trupat e KFOR-it dhe kolonat e refugjatëve, u nisëm për në Prishtinë, për çka na u deshën plot 4 orë e gjysmë. Mbretëronte kaos, askush nuk ishte përgjegjës për asgjë. Gjithandej kishte gjuajtje me armë, zjarre… Sigurinë e gjetëm vetëm në bazën britanike që sa po ngrihej. 

Ekipi i Knecht-it gjatë punës në ekshumimin e kufomave në Kosovë

Për rreth tri javë sa kishte zgjatur qëndrimi i parë atje kishim hulumtuar dhe identifikuar shumë krime lufte. Kështu, me vete në  Zvicër sollëm fashikuj të trashë dokumentesh”, thotë Knecht, tek bën fjalë për fillimin e misionit. Ndërsa lidhur me orientimin e ekipit nëpër vendet që duhej hetuar ai thotë se kanë pasur ndihmën e ushtarëve të UÇK-së. “Ata e dinin saktësisht se kur, çka dhe në cilin vend ka ndodhur. Megjithatë, ne secilën herë e riprovonim nëse krimet mund të ishin bërë nga serbët, nga NATO-ja ose nga vetë UÇK-ja. Por, ishte e qartë se gjithnjë kishim të bëjmë me viktima shqiptare”, shton ai.

Knecht ka përvojë të gjatë në “bashkëjetesë” me kufomat. Profesioni i tij i parë ka qenë preparator i kufomave në Universitetin e Bazelit. “Por, kjo nuk më ndihmonte dhe aq shumë tash, në Kosovën e pasluftës. Si preparator në Zvicër unë nuk merresha me fatet e të vdekurve që i preparoja. Ndërsa në Kosovë… Këtu bëhej fjalë për njerëz të vrarë në mënyrë çnjerëzore dhe për familjarët e tyre të mbetur me trauma, të cilët pastaj i takonim dhe ata pritnin shumë prej nesh. Kanë qenë gjithsej rreth 150 kufoma që kemi identifikuar dhe trajtuar në regjionin e gjerë të Kaçanikut”.  

Bari rritet mbi varr

Asgjë nuk e zëvendëson mikpritjen e vendësve

Duke parë gjendjen në terren, Knecht me kolegët kërkojnë nga qeveria e Zvicrës që të ofrojë një ekip më të përgatitur, të pajisur me mjete dhe që në kuadër të tij të ketë edhe mjekë ligjorë dhe specialistë të tjerë. ”Kërkesa na u plotësua. Kështu, herën e dytë kur shkova në Kosovë, isha vetë i 14-i dhe e drejtoja ekipin nga ana operative. Tash ishim të përqendruar më tepër në kërkimin e varrezave masive. Ne u vendosëm në Kaçanik, duke e bërë këtë regjion pikën qendrore të punës sonë në terren.

“Njerëzit në Kaçanik na kanë pritur me përzemërsi të jashtëzakonshme. Ata i gëzoheshin ardhjes sonë, sepse e dinin se ne, si ekspertë të paanshëm nga Evropa dhe SHBA-ja, me punën tonë do të mundësonim regjistrimin e krimeve të bëra në popullatën e atjeshme dhe nuk do të lejonim që ato të harroheshin. Kështu, në Kaçanik dhe në gjithë Kosovën, ne e ndjenim veten si në shtëpinë tonë”, dëshiron Knecht të shprehë mirënjohjen e tij dhe të kolegëve.

Njëri ndër rrëfimet prekëse që ka betonuar miqësinë e Willy Knecht me Kosovën dhe me shqiptarët lidhet me varrezën masive në Dubravë të Kaçanikut. “Derisa po hulumtonim të varrosurit aty, ne njohëm djaloshin 10-vjeçar, Fatonin. Babai, dy vëllezërit dhe motra e tij ishin të varrosur në atë varrezë dhe ai ngulte këmbë që t`i shihte edhe një herë ata, para se t`i rivarrosnim. Për ne si ekspertë ishte problem të lejonim një fëmijë të shikonte kufomat. Megjithatë, lëshuam pe para insistimit të tij dhe i treguam vetëm pjesërisht Fatonit atë që kishte mbetur nga më të dashurit e tij”.  

Fati tragjik i fëmijëve kosovarë, vulë e pashlyeshme në jetën e zviceranit

Rastet  sikur ky e kanë ballafaquar bashkëbiseduesin tonë me situata të mprehta ekzistenciale, para të cilave askush nuk mund të ruajë gjakftohtësinë. Prandaj, thotë Knecht, kjo që ka përjetuar në Kosovë i ka ndryshuar rrënjësisht qasjen për  jetën. “Pas kësaj erdha te mendimi: ne jemi tepër mirë këtu, në Zvicër. Unë në të ardhmen do t`i qëndroj pranë këtij vogëlushi. Prej atëherë unë u bëra si të thuash një baba në shpirt i Fatonit. E vizitoja atë çdo vit dhe i dërgoja rregullisht ndihma. Tash së fundi Fatoni ka shkuar në Gjermani dhe është martuar. Mendoj se ai e ka tejkaluar gjendjen e rëndë traumatike në të cilën ndodhej me përfundimin e luftës”.

Muajt e kaluar në Kosovë e kanë lidhur jetën e Willy Knecht-it edhe me mjaft fate të tjera tragjike njerëzish të atjeshëm. I tillë ishte dhe fati i Sulejmanit të vogël. “Morëm lajmin se në fshatin Kotlinë, në një pus të thellë ishin gjetur një numër i madh kufomash. Ne ndamë një pjesë të grupit tonë për të hulumtuar dhe për të identifikuar viktimat në Kotlinë. Aty unë gjeta edhe fëmijën “tim” të dytë në Kosovë, Sulejmanin.

Babai i vdekur, nëna e zhdukur! Vetëm gjyshja, plakë dhe e sëmurë, kujdesej për Sulejmanin”, rrëfen Knecht historinë e dhimbshme të radhës. “Me drejtorin e shkollës së fshatit u përpoqëm t`i gjenim një strehë. Në fund, vetë drejtori e strehoi atë në shtëpinë e vet. Unë i dërgoj rregullisht të holla, ndërsa ai përkujdeset shumë mirë për të. Tash së fundi, pasi kemi kuptuar se nëna e tij jeton (e rimartuar, në Shkup) po përpiqemi që  ta bashkojmë Sulejmanin me të. Edhe pak javë dhe do të shkoj sërish  atje. Do të shoh se si i kanë punët… “ 

Këtë pranverë fillon ndërtimi i shtëpisë për fëmijën e sëmurë rëndë

Fëmija i tretë “i Willy-t” lidhet po ashtu me një fat tragjik të një familjeje shqiptare të rrethinës së Kaçanikut. Djaloshi me emrin Mevlud vuante nga një lloj i sëmundjes së rëndë dhe shumë të rrallë të sklerozës laterale, një defekt gjenesh që godet 3 në 100 mijë fëmijë. Ai dhe familja jetonin në kushte të mjerueshme. “Kudo ku e kemi dërguar, na kanë thënë se nga kjo sëmundje nuk ka shpëtim. Kjo edhe u dëshmua. Mjerisht ai vdiq, ende pa u bërë 14 vjeç.

Unë pata planifikuar ta ndihmoja që së paku vitet e mbetura të jetës t`i kalonte në një shtëpi normale dhe në kushte pak më të denja. Por vdekja ishte më e shpejtë…”, thotë miku ynë dhe nuk mund ta fshehë trishtimin. “Ajo që dhemb edhe më shumë është se edhe vëllai i tij ka sëmundjen e njëjtë. Ai sot është shtatë vjeç dhe, duket, edhe atë e pret i njëjti fat sikur të vëllanë.

Këtu, ne i kemi duart e lidhura. Nuk mund të bëjmë asgjë. Por, ajo që mund të provojmë është të mundësojmë që ky fëmijë të jetojë së paku në një ambient më njerëzor, me dinjitet, jetën që i ka mbetur. T`i ndërtojmë familjes shtëpinë e premtuar.

Për këtë arsye kam vendosur të botoj privatisht një libër, të cilin e kam dërguar në adresa të ndryshme, bashkë me një fletëpagesë dhe kështu është mbledhur një shumë relativisht e mirë të hollash. Tashmë kemi tubuar 16 mijë franga nga shitja. Kështu, na nevojitet vetëm edhe pak që të nisim të ndërtojmë shtëpinë. Ndërtimi do të fillojë në prill”, flet i sigurt Willy. 

Willy Knecht

Imazhin e kosovarëve në Zvicër nuk mund ta diktojë shtypiKaq shumë fjalë të mira për shqiptarët, kaq shumë mirëkuptim dhe mirënjohje për ta. A kanë shqiptarët imazh të keq në Zvicër, z. Knecht? -“Jo”, thotë ai, me vendosmëri. “Duhet të dihen së pari numrat. Sa njerëz nga Kosova jetojnë këtu? Janë shumë. Dhe, për mua, për të folur se si një komunitet “nuk paska imazh të mirë” nuk janë përcaktuese rastet e të rinjve që ngasin veturat si të çmendur e që prezantohen në mënyrë pllakative në shtyp me sugjerimin: ja, kështu janë kosovarët”

“Dhe tash, na vjen rrëfimi se si `kosovarët e këqij` i mbysin  serbët, ua marrin organet dhe i transplantojnë ato!”

Tema rreth raportit të Dick Martyt nuk kishte si të mbetej jashtë fokusit të bisedës me z. Knecht. Bashkëbiseduesi ynë është një kundërshtar i vendosur i asaj që bashkatdhetari i tij, Marty, ka prezantuar në raport si “trafikim organesh”. “Z. Marty, i cili ishte kundërshtar absolut i pavarësisë së Kosovës, në vend të raportit që pamë duhet të na sqaronte nga aspekti kriminalistik se si ka mundur të ndodhë diç e tillë”, e fillon Knecht me mllef shprehjen e pakënaqësisë me raportin.

“Shikoni, ekziston në Evropë një institucion që quhet “Europlant”, ku regjistrojnë të dhënat personale të gjithë ata që deklarohen se do të japin organet e tyre për transplantim. Këto të dhëna pastaj krahasohen, për të gjetur nëse përshtaten organet e ofruara me ato të personave që kanë nevojë për to. Po pati përshtatje, Europlant vendos lidhjet në mes të spitaleve dhe çdo gjë duhet të kryhet për pak orë.

Në spitalin ku pritet të vijë organi që duhet transplantuar, duhet të qëndrojë i gatshëm një ekip i tërë mjekësh specialistë”, thotë Knecht dhe pastaj tregon edhe përvojat e veta personale lidhur me procedurën që kërkon e gjithë kjo. Në një rast ai ka organizuar bartjen me aeroplan të veshkave për shpëtimin e jetës së një të riu. Por, siç e nënvizon ai, “me gjithë kushtet ideale të spitaleve zvicerane dhe me aeroplanin e vogël në dispozicion, transplantimi dështoi dy herë. I riu vdiq. Kjo tregon se sa vështirë realizohet kjo edhe në kushtet e këtushme. “Dhe tash, na vjen rrëfimi se si `kosovarët` i mbysin  serbët, ua marrin organet dhe i transplantojnë ato.

Unë, që e njoh gjithë regjionin Kosovë – Shqipëri, e pyes Martyn se si paska mundësi të hiqen organet në atë vend të izoluar malor? A ka infrastrukturë të nevojshme atje? A ka rrugë të mira, apo ka ndonjë pistë aeroplanësh? Asnjëra nga këto”, pyet dhe përgjigjet vetë Knecht, i mërzitur. “Mua më mundon fakti përse askush nuk i ka kushtuar vëmendje këtyre rrethanave që i përmenda”. Pastaj, ai hedh dyshimin e tij mbi “tempimin” e këtij raporti saktësisht në kohën e zgjedhjeve dhe në kontekst të mundësisë së formimit të qeverisë nga Thaçi. “A mund të jetë kjo rastësi?” pyet ai. “Nuk e besoj dhe prandaj kjo më ka tronditur. Më dhemb. Edhe pse jam zviceran, zemra më rrah edhe për Kosovën”.  

Në dhomën muze të shtëpisë së tij

Delet dhe mirënjohja “Një plakë që më vonë vdiq në moshën më shumë se 100-vjeçare jetonte në kushte të mjerueshme. Desha t`i jap të holla, por nuk pranoi as ajo, e as rrethi. E quajtën gati-gati fyerje, duke thënë se ju keni kontribuuar aq shumë për ne… Atëherë i thashë: ta blej një dele. Ia bleva. Vitin tjetër, nga delja e parë u bënë 3 dhe pastaj 5 e tutje. Ky ishte një gjest mirënjohjeje dhe miqësie që këtu te zviceranët nuk njihet”.

“Jam në SVP, por nuk lejoj që partia të ma përcaktojë jetën”

Një anëtar dhe ish-funksionar i Partisë Popullore të Zvicrës, SVP-së, po dëshmon miqësi për shqiptarët dhe për të huajt në Zvicër. Dihen qëndrimet e “dorës së fortë” të kësaj partie ndaj të huajve. Prandaj: a është diçka e zakonshme kjo? “Shikoni, SVP e Zvicrës identifikohet gjithnjë me një qëndrim ekstremist të SVP-së së Cyrihut rreth Blocher-it.

Unë jam një SVP tjetër. Kam përfaqësuar atë në institucione të ndryshme, por gjithnjë kam bërë politikë konkrete, të përqendruar në jetën dhe nevojat e shoqërisë, në mesin ku jetoj. Unë jam në SVP, por nuk lejoj që partia dhe politika ta ndikojnë jetën time”, tërheq vërejtjen Knecht.

“Unë mbaj mjaft kumtesa, ligjërata, në shoqata, institucione dhe organizata të ndryshme, mes tjerash edhe në Akademinë Ushtarake, lidhur me aksionet e vështira që kemi pasur jashtë vendit. Secilën herë e nënvizoj se është diçka shumë speciale kjo përvoja ime kosovare. Atje kam njohur shumë njerëz. Dhe, më besoni, nuk kam takuar asnjë shqiptar i cili do të shprehte urrejtje ndaj serbëve.

Kam folur me njerëz që kanë qenë viktima të dhomave të torturës, të cilat i kemi hulumtuar. UÇK-ja i pati siguruar ndërtesat e ish-policisë, në pritje të ekspertëve të jashtëm dhe ne ishim të parët që i pamë këto qeli me veglat për torturime. Ishte e tmerrshme të shihje diç të tillë. Diçka që ne njohim vetëm nga mesjeta! Më vonë kam njohur një njeri që ka vuajtur në dhoma të tilla, është torturuar dhe madje as ky nuk thoshte asnjë fjalë të keqe për xhelatët e tij. Kjo, për mua është madhështore!”.