Lajme

Zgjedhjet e tetorit në Zvicër; një test polarizimi!

Nëse përcillen me vëmendje disa zhvillime të skenës aktuale politike zvicerane – në këtë kontekst paraelektoral – bie në sy fakti se janë çështjet ekonomiko-financiare, ekologjike e shumë tjera që shfaqen shpeshherë në debatin publik, por edhe politika sociale e vendit dhe çështja e të huajve (migracionit) janë ndër temat që dukshëm dominojnë, bile edhe bëjnë një zhurmë të madhe në debatet e aktorëve politikë, përcjell albinfo.ch.

Asnjë befasi nga e gjithë kjo, pasi këto temat “atraktive politike” kanë qenë dhe akoma mbeten si një prioritet debatesh në skenën e politikës së ditës, sidomos në kohët që i paraprijnë një zgjedhje dhe votimi. Edhe Zvicra nuk është, pra, e kursyer nga kjo dukuri, ashtu si edhe shumë shtete të tjera evropiane.

Disa zhvillime dhe ndodhi të viteve të fundit në Zvicër, ku bëjnë pjesë natyrisht edhe shtimi i numrit të personave të huaj që vijnë nga bashkësia evropiane, dinamika permanente e shtimit të numrit të azilkërkuesve janë me siguri indikatorë të rëndësishëm, të cilat hapin një fushë të gjerë debatesh e reflektimesh, por edhe konfliktesh e mosmarrëveshjes.

Kështu hasim ndërkohë në rryma politike që iu largohen gjithnjë e më tepër kompromiseve mbi këto çështje, aq të vlefshme këto në praktikën zvicerane. Një shenjë kjo që përcjell edhe një mesazh tjetër brengosës në adresë të mirëqenies dhe stabilitetit të “formulës magjike” të qeverisjes së vendit.

Nëse flasim konkretisht për punën në “terren” të partive politike, vërehet se partitë e ndryshme mundohen t’iu mbeten besnik politikave të tyre tradicionale, të cilat edhe pse pretendojnë se janë duke u përshtatur me rrethanat dhe nevojat e kohës, disa realitete dhe perceptime në shoqëri dëshmojnë se e gjithë kjo nuk domethënë domosdo se puna e tyre i reflekton gjithmonë realitetet dhe nevojat objektive të vendit.

Si shembull ilustrues mund të merren kampet politike, të cilat gati se asnjëherë nuk kanë arritur të krijojnë një miqësi të vërtetë me njëra-tjetrën, në përjashtim të një arritje në nivel të respektimit të formulës kryesore “me qenë politikisht korrekt me njëri-tjetrin”, që domethënë shumë gjëra, e ndërkohë nuk domethënë asgjë!

Më konkretisht, partitë të cilat i takojnë sidomos të djathtës ekstreme, akoma e kanë intensifikuar politikën e tyre, e cila tregon një ashpërsi të madhe posaçërisht në fushën e migracionit, e kufizimit të numrit të të huajve dhe praktikat e pranimit të fuqisë së huaj punëtore.

Është dëshmuar historikisht se marrë parasysh disa qëndrime të tyre, është jashtëzakonisht vështirë të imagjinohet që kjo tendencë politike të ketë një mbështetje të madhe nga personat me origjinë të huaj. Qoftë kjo diçka simbolike.

Vërejtjet më të shpeshta që u drejtohen këtyre partive lidhen me faktin se, edhe pse ato i prekin disa çështje dhe probleme që realisht ekzistojnë në shoqërinë zvicerane, dhe të cilat kërkojnë një qasje dhe një zgjidhje pragmatike, kjo nuk vlen edhe për propozimet e tyre të ofruara karshi këtyre çështjeve, e as të zgjidhjeve që do t’iu përshtateshin realitetit, kohës dhe nevojave reale të vendit. Propozime, pra, jo aq konform nevojave të shoqërisë dhe ekonomisë zvicerane.

Çështja e trajtimit dhe menaxhimit të migracionit është një shembull klasik dhe tashmë i mirënjohur i prioriteteve të këtyre partive. Një prioritet, i cili, marrë parasysh klimën aktuale që mbretëron në vend, pa dyshim se ka si pasojë një rentabilitet të lartë politik. Ndoshta edhe një dëm të lartë politik!

Kurse disa nga partitë e së majtës, kuptohet se paraqesin qëndrime të tjera, shpesh edhe diametralisht të kundërta me ata të qarqeve të lartpërmendura politike. Ky fenomen duket se shfaqet më lehtë në gjirin e partive që mbajnë një shpresë të madhe tek vota e të huajve.

Por edhe këto tendenca shpesh kritikohen për mungesën e trajtimit objektiv të problemeve që realisht ekzistojnë në shoqëri, kritikohen edhe për qëndrimet e tyre të luhatshme dhe jo gjithmonë aq të qarta, për shembull, si në fushën e politikës sociale, ashtu edhe në atë të menaxhimit të migracionit.

Edhe shumë parti të tjera të pranishme në pluralizmin politik të vendit, qoftë të qendrës, po edhe të tjera, mundohen të shpalosin programe me simbolikën e mbajtësve të njëfarë ekuilibri karshi partive të së djathtës dhe të majtës, por edhe pretendimi i tillë natyrisht se nuk është aq i lehtë në këtë kohë, ku politika e vendit është nën presion permanent edhe nga faktorë të jashtëm.

Mbi të gjithat, një admirim ndaj demokracisë zvicerane. Gjendemi në një fazë “turbulencash”, por edhe në një shtet që gjithmonë ia ka dalë t’i gjejë prapëseprapë zgjidhjet sa më adekuate, sidomos kur është në pyetje interesi i gjithmbarshëm i vendit. Pa ndonjë dilemë të madhe, është pikërisht kjo frymë bashkëpunimi ajo e cila pritet të ndodhë edhe pas zgjedhjeve të tetorit.

Opinon nga Lirim Begzati