Kosova

Zhegra nderoi Agim Ramadanin, heroin që u bë simbol i lirisë

Në kuadër të shënimit të datëlindjes së Heroit të Kosovës, Agim Ramadani, u mbajt manifestimi tradicional kulturor “Ditët e Agimit” në Zhegër të Gjilanit, ku mori pjesë edhe Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla.

Gjatë aktivitetit, Gërvalla theksoi se “heronjtë e lirisë së Kosovës kanë vetëm ditëlindje”, duke nderuar figurën dhe veprën e Ramadanit, të cilin e cilësoi si figurë fisnike, vizionare dhe strateg të lirisë. Ajo vlerësoi lart kontributin dhe sakrificën e tij në shërbim të lirisë së vendit.

Sipas saj, edhe pse jeta e Ramadanit u ndërpre herët, vepra dhe ideali i tij mbeten të përjetshme dhe udhërrëfyese për brezat e ardhshëm. Gërvalla shtoi se vendosmëria dhe trimëria e tij, së bashku me sakrificën e heronjve të tjerë, e kthyen idealin e lirisë në realitet.

Në këtë aktivitet mori pjesë edhe kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, i cili përmes një shkrimi përkujtoi figurën e Ramadanit. Ai theksoi se në Zhegër, mes njerëzve të tij, kujtimi i “Katanës së papërsëritshme” merr një domethënie të veçantë.

Abdixhiku u shpreh se vendlindja e Ramadanit e afron më shumë kujtimin për të, pasi pikërisht aty nisi rruga e një djali që u shndërrua në simbol për të gjithë shqiptarët. Sipas tij, nderimi i sotëm i kushtohet jo vetëm figurës së tij, por gjithë jetës dhe veprës që ai la pas.

Manifestimi “Ditët e Agimit” mblodhi pjesëmarrës nga të gjitha trevat, duke u shoqëruar me aktivitete kulturore dhe artistike në nderim të jetës dhe veprës së Heroit Agim Ramadani.