Lajme

Zvicër: Nga 5 nëntori mund të merrni vaksinën kundër gripit sezonal

Njoftohet nisma e vaksinimit kundër gripit sezonal

Që nga fillimi i vitit 2021 lajmet për vaksinat lidhen pothuajse ekskluzivisht me Covid-19, por shteti i Zvicrës po bën plane të reja për vaksinimin kundër gripeve sezonale që shpeshherë mund të jenë fatal për njerëzit që kanë të tjera komplikime, përcjell albinfo.ch.

Sa i përket gripit, Zyra Federale e Shëndetit Publik (FOPH) ka caktuar 5 nëntorin për të nisur përpjekjen e saj të imunizimit të gripit.

Atë ditë “do të jetë e mundur të vaksinoheni pa takim në shumë pika mjekësore dhe farmaci në gjithë vendin”, njoftoi FOPH.

Ai shtoi se pasi gripi “nuk është një sëmundje e parëndësishme”, vaksinimi rekomandohet për njerëzit në rrezik të shtuar të komplikimeve – ata që vuajnë nga sëmundje kronike, të tilla si një sëmundje e frymëmarrjes ose zemrës, gratë shtatzëna, fëmijët e lindur para kohe dhe njerëzit mbi 65 vjeç.