Lajme

Trenat e natës, gjithnjë e më të preferueshëm për zviceranët

Një trend po shfaqet në Zvicër: udhëtimi me “makina të fjetura” drejt destinacioneve të ndryshme evropiane po bëhet gjithnjë e më popullor, përcjell albinfo.ch.

Trenat e natës që lidhin qytetet zvicerane me Amsterdamin, Berlinin, Hamburgun, Hanoverin, Vjenën, Grazin, Pragën, Budapestin, Ljubjanën dhe Zagrebin janë gjithnjë e më të preferueshëm  dhe “rezervimet po shumohen”, sipas platformës së lajmeve Arcinfo.

Udhëtarët zgjedhin trenat dhe jo aeroplanët ose makinat për arsye mjedisore dhe komoditet. Në rastin e parë, udhëtimi hekurudhor kursen rreth 50,000 tonë CO2 në vit – konsumi mesatar vjetor prej 30,000 automobilash.

Gjithashtu, udhëtimi me tren lejon pasagjerët të mbërrijnë drejtpërdrejt në një qendër të qytetit pa pasur nevojë të transferohen nga aeroporti, gjë që shton komoditetin e përgjithshëm të udhëtimit, tha Liliane Rotzetter, zëdhënëse për Railtour Suisse.