Lajme

Zvicra po “fundoset” në dëborë – kaos i madh në trafik

Edhe 50 deri 110 centimetra borë e freskët pritet në pjesë të shpateve veriore të Alpeve dhe 20 deri në 40 centimetra në pjesët e rrafshta, lindore të Zvicrës

Dimri dhe bora kanë futur Zvicrën në “kthetrat” e veta.  Një numër ortekësh janë regjistruar të enjten, por njerëzit dhe ndërtesat kësaj radhe shpëtuan pa dëme.

Matjet e fundit janë nga mëngjesi i kësaj të enjteje. Trashësia totale e borës në St. Gallen ishte 18 centimetra, në Einsiedeln 22 centimetra dhe në Chur 40 centimetra. Në Arosa ka tashmë 1.35 metra dëborë.

Sasia e madhe e borës së freskët ka ndërprerë trafikun në rrugë të shumta. Disa vende nuk mund të arrihen më me automjete ose tren, raportojnë mediat zvicerane.

Edhe në qytete, transporti publik u përball me kufizime të ashpra në mbrëmje. Në Cyrih, autobusët nuk kanë mundur të lëvizin më në lartësinë prej më shumë se 450 metrash mbi nivelin e detit, transmeton albinfo.ch.

Shumë tramvajë dhe autobusë urbanë  u vonuan ose u anuluan plotësisht.

Dhe ky është vetëm fillimi: Përveç kësaj që ka rënë sot, edhe 50 deri 110 centimetra borë e freskët pritet në pjesë të shpateve veriore të Alpeve dhe 20 deri në 40 centimetra në pjesët e rrafshta, lindore të Zvicrës.

Në male ka pasur reshje të mëdha bore natën e së enjtes. Në Arosa GR, për shembull, 65 centimetra dëborë të freskët janë shtuar që nga e mërkura, shkruan Meteonews në Twitter. Dhe ka vazhduar të binte borë me të madhe.

Në Arosa vetëm tri në 40 vitet e fundit ka pasur më shumë borë të freskët, raporton Meteoschweiz në Twitter.