Futboll

Zyrtare: Messi largohet nga Barcelona

“Fundi i një epoke”. Klubi i Barcelona-s ka njoftuar zyrtarisht se e ka të pamundur rinovimin e kontratës me super yllin argjentinas, Lionel Messi-n. Faktikisht, mosrinovimi i Messi-t u lajmërua pak më herët nga gazeta e përditshme spanjolle “Marca”.

“Pavarësisht se klubi dhe lojtari kanë arritur marrëveshje dhe synimi i tyre i qartë për të nënshkruar kontratë të re sot, kjo nuk mund të ndodhë për shkak të pengesave financiare dhe strukturore”, thuhet në deklaratën zyrtare të Barcelona-s.

“Si pasojë e kësaj situate, Messi nuk do të qëndrojë në FC Barcelona. Të dyja palët pendohen thellë që dëshirat e lojtarit dhe klubit nuk do të plotësohen përfundimisht”.

“FC Barcelona shpreh përzemërsisht mirënjohjen ndaj lojtarit për kontributin e dhënë në agrandizimin e klubit dhe i uron të gjitha të mirat për të ardhmen në jetën e tij personale dhe profesionale”.

Barcelona nuk mundi të ulë nivelin e pagave të kërkuara nga La Liga në bazë të rregulloreve dhe kjo është arsyeja se përse rinovimi i Messi-t ishte i pamundur.

Kështu përfundon edhe aventura e gjashtë herë “Topit të Artë” në “Camp Nou”. Messi ka që nga viti 2000 që është pjesë e Barcelona-s. Ai ka kaluar të gjitha nivelet e klubit, që nga akademia deri në ekipin e parë.

Messi luajti 778 ndeshje me Barcelona-n, ku shënoi 672 gola dhe 305 asiste. Në total, ai ka fituar 35 trofe me Barcelona-n në të gjitha kompeticionet.