Kultura

14 projekte filmike konkurrojnë për çmimet e ”SwiKos 2012”

Organizatorët e festivalit shqiptaro-zviceran të filmit të shkurtër „SwiKos“ kanë publikuar listën e filmave të shkurtër që do të konkurrojnë në edicionin e gjashtë që do të mbahet nga 9 nëntorit në Basel të Zvicrës.

„SwiKos „do të mbledhë bashkë sërish në Basel të Zvicrës regjisorë, skenaristë dhe producentë filmash nga vende të ndryshme të Evropës, nga Kosova, Shqipëria, Zvicra e Maqedonia, për të zgjedhur filmin më të mirë për vitin 2012.

Duke filluar nga 9 nëntori, për tri ditë resht, do të prezantohen 13 projekte filmike.

Në konkurrencë do jenë 5 produksione nga artistët zviceranë, 4 nga Kosova, 1 nga Shqipëria, 2 nga Maqedonia,dhe 1 nga Gjermania.

“SwiKos” vjen me një koncept të ri në tri mbrëmje në sallën “Stadt Casino” të Baselit, duke prezantuar filma të shkurtër nga filmbërësit e rinj.

Filmat më të mirë do të shpërblehen në 5 kategori, duke përfshirë edhe çmimim e publikut, bëhet e ditur nga organizatorët e festivalit “SwiKos”.

Gjatë edicioneve të kaluara nëpër këtë festival kanë kaluar dhjetëra regjisorë, aktorë, skenaristë e producentë të filmit të shkurtër.

Flmi i regjisores gjermane nga Hamburgu, Lena Liberta, “Si një i huaj” (Wie ein Fremder), është shpërblyer me çmimin kryesor në edicionin e kaluar të festivalit shqiptaro-zviceran të filmit të shkurtër “SwiKos”.