Lajme

Apeli e lë në paraburgim Murat Jasharin

Murat Jasharin nga Kumanova, i cili dy javë më parë plagosi me armë zjarri avokatin dhe ish-udhëheqësin e Krahinës së dikurshme Autonome të Kosovës, Azem Vllasin, do të mbetet në paraburgim

Gjykata kosovare e Apelit e ka lënë në paraburgim edhe për një muaj, Murat Jasharin nga Kumanova, i cili dy javë më parë plagosi me armë zjarri avokatin dhe ish-udhëheqësin e Krahinës së dikurshme Autonome të Kosovës, Azem Vllasin. Po ashtu, kjo gjykatë ia ka vazhduar masën e paraburgimit edhe të pandehurit Avni LLuminica ndërsa tjetrin, A.I e ka lënë në arrest shtëpiak.

“Gjykata e Apelit e Kosovës, në seancën e kolegjit të mbajtur me 23.03.2017, e ka lënë në fuqi masën e paraburgimit prej 30 ditësh, për të pandehurit M.J. dhe A.Ll. dhe atë të arrestit shtëpiak për të pandehurin A.I.  Në këtë mënyrë kolegji i ka refuzuar si të pa pabazuara ankesat e avokatëve mbrojtës kundër aktvendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, të datës 14.03.2017”, thuhet në komunikatën e Gjykatës së Apelit.

I dyshuari kryesor Murat Jashari po dyshohet nga ana e prokurorisë për veprat penale të hakmarrjes në tentativë dhe mbajtje nën pronësi, kontroll apo posedim të pa autorizuar të armëve.

I dyshuari tjetër Avni Llumnica dyshohet për veprën penale hakmarrje në ndihmë ndërsa një i dyshuar i tretë me inicialet A.I. për dyshohet për dhënie të ndihmës kryerësve, pas kryerjes se veprës penale.

“Gjykata e Apelit konstatoi se gjykata e shkalles së parë drejtë ka gjetur se meqenëse ekziston dyshimi i bazuar se të pandehurit kanë kryer veprat e lartcekura, ka bazë ligjore për caktimin e paraburgimit dhe arrestit shtëpiak, konform dispozitave të Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.