Shkurt.ch

Banka Nacionale e Zvicrës, mbi 20 miliardë fitim

Sipas komunikatës, fitimi ka rezultuar para së gjithash nga suksesi i valutave të huaja, që llogaritet me 13 miliardë franga dhe nga ngritja e vlerës së arit, që ka arritur në 7.6 miliardë franga

Banka Nacionale e Zvicrës (SNB) gjatë gjashtë muajve të parë të këtij viti ka pasur një fitim prej 21.3 miliardë frangash. Në periudhën e njëjtë të një viti më parë ajo kishte pësuar 50.1 miliardë franga humbje, bëhet e ditur në një komunikatë të SNB-së.

Sipas komunikatës, fitimi ka rezultuar para së gjithash nga suksesi i valutave të huaja, që llogaritet me 13 miliardë franga dhe nga ngritja e vlerës së arit, që ka arritur në 7.6 miliardë franga.

Më tutje, bilanci i gjysmëvjetorit të parë tregon se SNB me kamatat negative të pasurisë së deponuar të bankave komerciale ka marrë 692 milionë franga. Nga ana tjetër, SNB ka shënuar humbje nga letrat e pjesëmarrjes në aksione.