Lajme

BE-ja anulon ndihmën prej 7.8 milionë për Mitrovicën

Projektet parashihnin ndërtimin e një qendre kulturore dhe të një ndërtese të re universitare në Mitrovicën e veriut

Bashkimi Evropian (BE) nuk do t’ia ndaj komunës së Mitrovicës së veriut ndihmën e premtuar financiare prej 7.8 milionë eurosh, pasi që kjo e fundit nuk ka arritur t’i largojë objektet e ndërtuara pa leje në hapësirat ku do të ndërtohej një qendër universitare, kulturore dhe administrative.

 

Sipas një njoftimi nga Zyra e BE-së në Prishtinë, thuhet se autoritetet evropiane janë të zhgënjyera me anulimin e këtyre projekteve, nga të cilat do të përfitonin sektori arsimor dhe kulturor në Mitrovicën e veriut.

 

“BE-ja i konsideron këta sektorë si esencialë për përparimin e Kosovës dhe i bën thirrje autoriteteve, duke përfshirë edhe ato në nivelin lokal, të mos kursejnë asnjë përpjekje për ta bërë prioritet arsimin cilësor”, thuhet në reagimin  Zyrës së BE-së.

 

Projektet parashihnin ndërtimin e një qendre kulturore dhe të një ndërtese të re universitare në Mitrovicën e veriut.

 

BE-ja kontribuon pothuajse me 100 milionë euro ndihmë financiare për Kosovën në vit. Ndihma e BE-së siguron mbështetje për të gjitha fushat në Kosovë dhe për të gjitha komunitetet, duke përfshirë 38.5 milionë euro veçanërisht për Kosovën e veriut.