Zhvillim

Boga, aty ku bora “merr frymë shqip”

Boga është me siguri fshati më turistik gjatë dimrit në Rrafshin e Dukagjinit. Po ashtu është një ndër vendet më të vizituara edhe në stinët tjera. Boga ndodhet mes maleve të Rugovës dhe është një prej vendeve më të bukura në Kosovë për të shijuar borën

Kosova është e pasur me shumë bukuri natyrore. Që nga Lindja e në Perëndim. Nga pranvera deri në dimër. Pikërisht Boga është një vend turistik që të ofron pushim në çdo stinë të vitit, por padyshim se më të bukurën e rezervon për dimër. Kështu edhe ekipi ynë vendosi të vizitojë këtë vend pa hezitim, e nuk u penduam fare, madje mbetëm të impresionuar nga bukuritë që ofron ky fshat turistik. Nga Prishtinë në Bogë janë rreth 120 km, ose 30 km larg qytetit të Pejës, ndërsa për 2 orë nga kryeqyteti kosovar arrin në fshatin shumë të vizituar e shumë të kërkuar. Tashmë ka edhe oferta të ndryshme nga kompanitë turistike dhe me 10 euro mund të shkosh në këtë fshat.

Ndër fshatrat më të bukur dhe më të veçantë

Boga ndodhet mes maleve të Rugovës dhe është një prej vendeve më të bukura në Kosovë për të shijuar borën. Boga të jep një ndjenjë miqësore dhe pothuajse të gjitha objektet e kësaj qendre janë të vendosura në një vend të përbashkët. Ajo gjithashtu ofron një shtrirje afër teleferikëve, të cilët gjenden afër shtëpive të bukura prej druri, për të kaluar një fundjavë të këndshme. Në fshat ndodhet një pistë skish me parametra bashkëkohorë, ku mund të argëtohen edhe fillestarët në këtë lloj sporti. Këtu është bërë një punë e mirë për thithjen e turizmit dimëror nëpërmjet rrugëve të komunikimit dhe akomodimit. Boga është me siguri fshati më turistik gjatë dimrit në Rrafshin e Dukagjinit. Po ashtu është një ndër vendet më të vizituara edhe në stinët tjera, kurse lartësia mbidetare është 1500 metra. Klima, malet, atmosfera dhe ambienti që të rrethon në Bogë janë të mrekullueshme, andaj nuk duhet humbur rasti assesi. Tradita e mikpritja rugoviane janë një tjetër veçantë e këtij vendi, ku frymohet shqip 100 %.

Vizitorë të shumtë

Të arrish në Bogë nuk është problem aspak. Viteve të fundit është investuar shumë dhe rrugët janë të pastruara. Udhëtimi ynë dy orësh mbaron dhe lodhja zëvendësohet nga çlodhja. Që në mëngjes sheh shumë vizitorë të ndryshëm. Këtu gjen shtëpiza të ndryshme për të banuar, në rrafsh e në maje. Shumica e shtëpizave janë të ndërtuara me dru të pishës, por disa edhe si kulla tradicionale. As vilat dhe hotelet nuk mungojnë. Çmimet janë të ndryshme. Në shtëpiza, çmimet janë nga 20 euro për person, ndërsa në hotele janë nga 30 e më shumë, duke përfshirë edhe mëngjesin, përderisa çmimet në vila janë rreth 40 euro. Për këtë zonë vite më parë nuk ka pasur interesim nga askush, por në vitet e fundit, janë ndërtuar shumë vila, hotele e shtëpi. Aktualisht ndërtimet janë ndalur, kurse çmimi i tokës është shtrenjtuar dukshëm. Por, po të qëndrosh në këtë fshat, e kupton se sa e shëndetshme është jeta këtu. Boga nuk është fshat i madh dhe ka pak banorë, por ka shumë turistë, e numri i tyre çdo ditë e më shumë po rritet.

Të gjithë mund të skijojnë

Në Bogë, gjithashtu mbahen edhe garat e skijimit, kurse pista është e pranuar edhe nga Federata Ndërkombëtare e Skitarisë. Por, në Bogë, të gjithë mund të skijojnë, që nga fëmijët e deri të moshuarit dhe kjo është veçantia e këtij fshati. Sapo arrin, sheh shumë fëmijë që ‘voziten’ me sajat e tyre, por indiferent nuk qëndrojnë as të tjerët dhe të gjithë në mënyrën e tyre mund të argëtohen.

Një banor na tregon për sezonin e dimrit. “Këtu shpesh herë ka borë deri në prill ose në maj. Është një vend që është i rrethuar nga malet dhe bora nuk shkrihet lehtë. Andaj sezoni dimëror zgjat shumë”, thotë ai. Në mesin e shumë turistëve, ka shumë të tillë nga Shqipëria. “Na pëlqen bora, pasi në Shqipëri nuk ka borë. Këtu gjithçka është bukur. Është një vend madhështor”, tregon një zonjë, që është e shoqëruar nga dy vajza të vogla.

Edhe skitarët profesionistë e kanë Bogën vend të preferuar. “Më pëlqejnë malet dhe gjithçka përreth. Këtu frymon gjithçka shqip. Shkoj shpesh në Brezovicë dhe më në fund pata rastin të vij edhe këtu. Do të vij përsëri”, thotë njëri prej tyre. E, për dallim nga Brezovica, Boga ka investuar më shumë dhe nuk ka probleme politike. Ski lifti punon pa problem, dhe atë mund të shfrytëzosh për tërë ditën për 10 euro. Gjithashtu ofrohen edhe kurse të skijimit për pesë euro.

Hotel ‘Magra Austria’ është më i madhi në gjithë Rugovën dhe ofron oferta të ndryshme. Ai madje, ka edhe pishinën brenda saj. Numri i turistëve është shtuar viteve të fundit, kurse vizitorët për të fjetur duhet të rezervojnë patjetër, madje, edhe një javë ose dy më herët. Jeta në Bogë nuk pushon as natës, ku për adhuruesit e sportit ekstrem mund të vozitin me motorë gjatë natës në pistë, pa u shqetësuar nga askush. Pamja natën është e mrekullueshme. Një fshat i vogël dhe përrallor. Një bukuri që duhet shijuar. Një aventurë që duhet përjetuar.

Rugova, Park Kombëtar

Boga ndodhet mes maleve të Rugovës. Rugova është regjioni i tretë i Bjeshkëve të Nemuna, të njohura ndryshe si Alpet Shqiptare. Në vitin 2013 u shpall Park Kombëtar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës.

E pranuar nga “FIS”

Rugova është regjion i përshtatshëm për alpinizëm, bjeshkatari, skitari, ngjitje në shkëmbinj, lëshim me parashuta, piknik me familje etj. Rugova radhitet si qendra e katërt kryesore për sporte dimërore nga Federata Ndërkombëtare e Skitarisë (FIS) me qendrën në Lucern.

Maja më e lartë, 2403 metra

Rugova është e pasur me shpella, ujëvara, liqene glaciale, maja të larta, tunele etj. Maja më e lartë është Hajla (2403 m) por rëndësi dhe interes paraqet edhe Qafa e Qyqes nga e cila mund të soditet i tërë qyteti i Pejës.

(Fotot: Bujar Gashi)

KUJDES ! TEKSTI YNË I KOPJUAR DO TË DENONCOHET DHE RAPORTOHET. PËRPOS NËSE...

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e albinfo.ch dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://www.albinfo.ch/boga-aty-ku-bora-merr-fryme-shqip/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin. Redaksia e albinfo.ch.