Sport

Boksieri shqiptar diskualifikohet nga gjyqtari, por vazhdon luftën me gjermanin pas meçit

Boksieri shqiptar është diskualifikuar në raundin e katërt. Kjo ka nervozuar Gashin dhe trajnerin e tij, që sulmojnë personalisht gjermanin, për të larë hesapet, pasi ishte mbyllur ndeshja

Nuk ka shkuar, ashtu siç është pritur meçi i boksierit nga Peja, ndaj gjermanit Tom Schwarz.

Boksieri shqiptar e humbi meçi, pas diskualifikimit të gjyqtarit, por këtë vendim nuk e ka pritur aspak mirë Senad Gashi, shkruan albinfo.ch.

Boksieri shqiptar goditi me kokë kundërshtarin në mënyrë të pavullnetshme në raundin e dytë, duke bërë që Schwarz të binte në tokë dhe të humbte kthjelltësinë.

Gashi ndëshkohet me dy pikë dhe sfida vijon. Por, edhe kundërshtari i përgjigjet me monedhë të njëjtë.

Boksieri shqiptar është diskualifikuar në raundin e katërt. Kjo ka nervozuar Gashin dhe trajnerin e tij, që sulmojnë personalisht gjermanin, për të larë hesapet, pasi ishte mbyllur ndeshja.

U desh ndërhyrja e forcave të sigurisë për të marrë nën kontroll situatën, që për pak degjeneroi në një sherr masiv.

Boksieri pejan regjistronte 16 fitore deri tani, të gjitha me nokaut, teksa sot pësoi humbjen e parë.