Lajme

Çereku i ish-deputetëve kosovarë,  pa asnjë cent në bankë

Në mesin e ish- deputetëve të cilët kanë deklaruar se nuk kanë para të gatshme në bankë, është edhe kandidati për kryeministër nga Lëvizja Vetëvendosja, Albin Kurti dhe kryetari i partisë NISMA, Fatmir Limaj

Janë 33 deputetë të Kuvendit të Kosovës nga legjislatura e kaluar, që kanë deklaruar se nuk kanë asnjë “metelik” në bankat kosovare. Kështu të paktën kanë deklaruar ata vet, në Agjencinë Kundër Korrupsionit me rastin e deklarimit të pasurisë së tyre, që është obligim për secilin zyrtar shtetëror në Republikën e Kosovës.

Në mesin e ish- deputetëve të cilët kanë deklaruar se nuk kanë para të gatshme në bankë, është edhe kandidati për kryeministër nga Lëvizja Vetëvendosja, Albin Kurti dhe kryetari i partisë NISMA,  Fatmir Limaj.

Po ashtu “fukara” janë deklaruar edhe deputeti i Vetëvendosjes dhe ish- oficeri i UÇK-së, Rexhep Selimi, Pal Lekaj-ish kryetari i Gjakovës, Agim Çeku –ish-komandanti i UÇK-së dhe TMK-së, etj.

Në deklarimin  e pasurisë në Agjencinë Kundër Korrupsion, nga të gjitha grupet parlamentare të legjislaturës së kaluar, janë 33 deputetë të cilët kanë deklaruar se nuk kanë para të gatshme në llogaritë e tyre, ose të paktën ato nuk i kanë deklaruar në formularët e pasurisë, citon lajmi.net.

Nga PDK janë shtatë ish-deputetë të cilët kanë deklaruar se nuk kanë para të gatshme: Agim Çeku, Shaip Muja, Ganimete Musliu, Flora Brovina, Fadil Beka, Luljeta Veselaj-Gutaj dhe Emilija Redzepi. Ndërsa nga LDK janë: Melihate Tërmkolli, Teuta Rugova, Njomza Emini, Blerim Grainca, Kimete Bytyqi dhe Etem Arifi.

Nga Vetëvendosje janë pesë ish-deputetë, përfshirë të nominuarin për kryeministër, Albin Kurti, më pas Rexhep Selimi, Aida Dërguti, Donika Kadaj-Bujupi dhe Mytaher Haskuka.

Nga AAK janë tre ish-deputetë të cilët kanë deklaruar se nuk kanë para të gatshme: Pal Lekaj, Bali Muharremaj dhe Teuta Haxhiu. Po, kaq ish-deputetë janë edhe nga NISMA,  duke nisur nga kryetari Fatmir Limaj, si dhe dy deputetët tjerë: Zafir Berisha dhe Enver Hoti.

Në grupin e Listës Serbe janë pesë ish-deputetë që kanë deklaruar se nuk kanë para të gatshme. Ata janë: Nenad Rasiq, Adem Hodza, Sasa Milosavljeviq, Jasmina Zhikoviq dhe Milka Vuletiq. Nga Grupi 6+ janë: Kujtim Paçaku, Danush Ademi dhe Çerim Bajrami. Po ashtu edhe ish-deputeti Gëzim Kelmendi ka deklaruar se nuk ka para të gatshme.