Lajme

Çka mendon komisioneri Hahn për Platformën Shqiptare?

Komisioneri Hahn tha se platforma shqiptare është element i rëndësishëm për respektim të etniteteve të ndryshme në Maqedoni, sepse secili komunitet duhet të jetë pjesë si në programet qeveritare, po ashtu edhe konstituive

Komisionari për zgjerim i Bashkimit Evropian, Johanes Hahn nuk e ka kundërshtuar Platformën shqiptare në Maqedoni, e cila sipas një disa partive politike atje është bërë “mollë sherri” për formimin e qeverisë së re. Hahn tha se platforma shqiptare është element i rëndësishëm për respektim të etniteteve të ndryshme në Maqedoni, sepse secili komunitet duhet të jetë pjesë, si në programet qeveritare, por edhe pjesë konstituive.

“Është e rëndësishme të respektohen entitetet e ndryshme dhe në këtë shtet si Maqedonia duhet të jetohet në një atmosferë të mbushur me paqe. Kjo është e nevojshme sepse secili komunitet duhet të jetë pjesë konstituive dhe duhet të respektohet me përfaqësim në programin qeveritar sepse ajo paraqet programin e partive politike të cilat i përfaqësojnë ata”, tha Johanes Hahn.

Ndryshe, dje Hahn bashkë më tre eurodeputetët e tjerë të Parlamentit Evropian, Knut Flekenshtajn, Ivo Vajgël dhe Eduard Kukan, realizuan takime me krerët politik në Maqedoni, nga të cilat dolën me qëndrim se duhet formim sa më i shpejtë i Qeverisë dhe rikthim sa më i shpejtë i formimit dhe funksionimit të organeve shtetërore, citon poralb.mk.

“U takuam me përfaqësuesit e partive parlamentare. E përsëritëm shumë qartë se të gjithë liderët e vendit, duke përfshirë edhe presidentin, tani duhet të respektojnë rezultatin e zgjedhjeve të fundit”, u tha në kumtesën e Johanes Han dhe tre eurodeputetët, Flekenshtajn, Vajgël dhe Kukan.

Han dhe eurodeputetët “në veçanti, kërkojnë nga të gjithë të përmbahen nga veprimet dhe deklaratat të cilat mund të nxisin tensione ndëretnike apo të dëmtojnë marrëdhëniet e mira fqinjësore”.