Kultura

Dashmir Ristemi, rolin kryesor në filmin zviceran “Skizzen von Lou”

Rolin kryesor të mashkullit në këtë film të realizuar në regjinë e Lisa Blatter, e luan aktori me rrënjë shqiptare, Dashmir Ristemi

Më 1 shkurt, (nesër) në Cyrih ndërsa më 2 shkurt në Bazel jepen dy parapremierat e filmit “Skizzen von Lou” (Skicat e Lou-s). Në ditët në vazhdim filmi jepet edhe në kinematë e qyteteve tjera të Zvicrës gjermane. Rolin kryesor të mashkullit në këtë film të realizuar në regjinë e Lisa Blatter, e luan aktori me rrënjë shqiptare, Dashmir Ristemi, shkruan albinfo.ch.

Dashmiri është një aktor 37 vjeçar, me babanë nga Maqedonia dhe nënën nga Kosova. Ai ka luajtur për vite me radhë në Forumteatrin interaktiv “Rookie” ndërsa para dy vitesh ka luajtur me sukses në filmin artistik “Heimatland” (Atdheu).

Filmi, premiera e të cilit është këtë javë, është filmi i parë artistik i metrazhit të gjatë i regjisores Lisa Blatter. Ai flet për një lidhje dashurie në mes të vajzës Lou, rolin e të cilës e luan Liliane Amuat dhe të riut Aro, të luajtur nga Dashmir Ristemi. Rrëfimi filmik fokusohet në dilemat dhe dëshirat e dy të rinjve urbanë të moshës nga fundi i të njëzetave.

Në fakt Lou, 28 vjeçe dhe Aro, 35 vjeç takohen, afrohen edhe fizikisht, por pa detyrime. Ndërkohë ata janë afruar shumë më tepër se që realisht do ta pranonin. Në kërkim të lirisë ultimative ata e mohojnë nevojën e tyre për familje. I gjithë rrëfimi filmik është një portret subtil i një gjenerate që ka frikë nga dashuria.

Filmi ka marrë pjesë së fundi në festivalin “Max Ophüls Preis” në Saarbrücken, Gjermani dhe në atë të Cyrihut, , shprehet për albinfo.ch producentja e filmit. Ndërsa aktorja kryesore e këtij filmi, Liliane Amuat është nominuar në kategorinë e rolit më të mirë femëror të çmimit kryesor zviceran të filmit, në kuadër të festivalit të Filmit që u mbajt në Solothurn.

Është interesante se njëkohësisht me fillimin e shfaqjes në Zvicër, në fund të kësaj jave, filmi do të shfaqet edhe në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni. Në Prishtinë filmi “Skizzen von Lou” ose në përkthimi anglisht Sketches of Lou shfaqet në Kino ABC, në Tiranë në “Imperial Cinemas” dhe në Shkup në “Cinematheque of Macedonia.

Në prag të premierës së filmit, albinfo.ch ka realizuar një intervistë ekskluzive me aktorin kryesor, Dashmir Ristemin.

Filmi shfaqet në qytetet dhe kinematë në vijim: 1 shkurt në kinemanë RiffRaff (Pastaj në kino Houdini) në Cyrih; më 2 shkurt në Kult Kino Atelier, Basel; 3 shkurt: Kino Orient, Wettingen; 6 shkurt: Kino Lichtspiele, Olten; 7 shkurt Kinok, St. Gallen; 8 shkurt Cinema Odeon, Brugg: 9 shkurt Kino Freier Film, Aarau dhe më 15 shkurt Cinema Cameo, Winterthur.


 Biografi e shkurtë:

  • Emri e mbiemriDashmir Ristemi
  • Prejardhja:Prishtinë, Kosovë
  • Vendi ku vepron:Aargau, Zvicër
  • Profesioni:Aktor

 Info rreth ngjarjes

  • Data e fillimit01 Shkurt 2017
  • Ora20:50
  • LokacioniKino RiffRaff, Cyrih
  • Data e përfundimit31 Janar 2017 - 1:00