Lajme

Deklarata e Mavrajt, trazon rrjetet sociale

“Hallallin s’e bëj haram. Haramit s’i bëj reklamë”. Me këto fjalë mbrojtësi i Kombëtares Shqiptare, Mërgim Mavraj kishte refuzuar ta veshë fanellën e Kombëtares me reklamën “Birra Peja”. Nëpër statuse sociale atë e quajtën pro-Arab

Një status në Facebook i lojtarit më të dalluar të mbrojtjes shqiptare Mërgim Mavraj se “nuk e përziej hallallin me haram”, duke kundërshtuar që ta bartë fanellën me sponsor “Birra Peja”, ka trazuar rrjetet sociale të Kosovës. Shumë analistë dhe gazetarë kanë dalë kundër Mavrajt-lojtar i Bundesligës, për shkak të këtij kundërshtimi.

“Hallallin s’e bëj haram. Haramit s’i bëj reklamë”. Kështu kishte shkruar Mavraj, mbrojtësi i kombëtares Shqiptare.

Kundër tij ka dalë menjëherë publicisti Berat Buzhala, që i kërkon Mavrajt që të distancohet nga këto deklarata, që s`i bëjnë nder kombit.

“Ti po luan për Republikën e Shqipërisë, e cila në kushtetutën e saj, në nenin 10, thotë: “Republika e Shqipërisë nuk ka fe zyrtare”. Mërgim, ti në kombëtare përfaqëson të gjithë shqiptarët, e jo një besim të caktuar. Nuk do të duhej ti me na treguar se çka është hallall e çka është haram”, shkruan Buzhala në facebook.

Ai thotë se kanë qenë shumë burra më të mençur se “unë, e po besoj edhe se ti -Rilindasit, por edhe para tyre, që na kanë mësuar se në raportet në mes nesh ka shumë më shumë rëndësi kombi se sa feja”.

Edhe kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, përmes Facebook-ut ka shprehur mendimin e tij rreth çështjes së futbollistit të kombëtares shqiptare Mërgim Mavraj.

“Unë nuk pajtohem me Mërgimin në këtë çështje, por ai ka të drejtë të besojë në këtë. Ai mua nuk po ma cenon të drejtën për ta pirë birrën, dhe për ta reklamuar atë. E konsideroj veten goxha një liberal sa i përket besimeve, të drejtave, dhe të shprehurit. Po më duket se kritika është e drejtuar më shumë karshi besimit të tij”, konsideron Ahmeti.

Sponzori, sipas tij, nuk duhet të barazohet me fanellën, ngjyrat, flamurin e respektimin e shtetit të cilin e përfaqëson.

“Fundja është marrëveshje ekonomike. Katër lojtarë të Newcastle nuk kishin pranuar fanellat e Newcastle me reklame te Wonga, një institucion kreditor me kamata marramendëse. Frederic Canoute nuk ka pranuar fanellën e Sevillas qe reklamonte 888.com, websajt bixhozi, dhe u lejua që ta mbante pa atë reklamë”, thotë më tej Ahmeti.

Kryetari i Prishtinës thotë se edhe vetë nuk do të kishte pranuar të luante me një fanellë, nëse do të reklamoheshin produktet e një kompanie nga Serbia, që kontribuon me para publike në vështirësimin e jetës sime, apo produkte tjera me të cilat nuk do isha pajtuar. “Po ashtu besoj se një besimtar i krishterë në SHBA apo në Evropë nuk do të pranonte reklamat në fanellë të një klinike të abortit p.sh”, mendon Ahmeti, sipas të cilit, Mërgimi është i gatshëm edhe me e lëshu kombëtaren për atë që beson.

“Në qoftë se doni me rieduku Mërgimin për besimet e tij, insistimi në reklamë të birrës në fanellë nuk është mënyra. Kontributi i tij në kualifikime dhe në kombëtare është më i madh se sa vlera e një llogoje në një fanellë të një prej 23 lojtareve të kombëtares. Ana komerciale nuk duhet të jetë bazë e besimeve tona”, shprehet Ahmeti.

Prefekti i kryeqytetit kosovar që ka kryer studimet postdiplomike në universitetin më prestigjioz Harward, thotë se “do t’i shikoj lojërat, duke pirë birrë dhe “do të jem me kombëtaren, e besa edhe me Mërgimin të cilin mezi pres ta shoh në fushë”.

Edhe një simpatizant i Kombëtares shqiptare, që quhet Xhuliano Pjetrushi, thotë se është i besimit katolik, por i jep mbështetje të plotë Mavrajt.

“Katolik jam, edhe po them respekt. Nëse nuk don me reklamu gjërat që janë kundër fesë tënde, ke të drejt. Nuk e di pse disa po zemërohen. Ky është mysliman edhe islami nuk lejon alkoolin. Tash, Mavraj si fetar që është nuk mundet me pi as me reklamuar alkoolin. Nuk ka ofendu kënd”, thotë ai.

Por ka shumë të tjerë, që Mavrajn e quajnë pro arab, dhe jo shqiptar. Ka të tillë që i kërkojnë të tërhiqet nga Kombëtarja, por ka edhe të tillë që i japin mbështetje, mbi të gjitha dy fjali të shkurtra të vetë Mavrajt që luan për Këlnin, kanë trazuar gjithë opinionin shqiptar në Ballkan.

“Nëse kish pranuar me e veshë fanellën me “Birra Peja”, ja kishit teshë që s’është parimor, se feja e tij s’e lejon alkoolin, e gërri vërri… kështu që, QETËSI”, shkruan ndërkaq analisti Shkëlzen Gashi.

Ndërsa krejt në fund, mbrojtësi i Kombëtares shqiptare, Mërgim Mavraj, përmes rrjeteve sociale, i ka quajtur të paudhë gjithë kritikët e tij. “Besimtaret e vërtetë, kur i ofendojnë të paudhët, ju përgjigjen “selam” paqja Zotit qoftë mbi ju”, ka shkruar Mavraj në Instagram.

Por ndërkohë portale të ndryshme kanë publikuar një fotografi në të cilën Mërgim Mavraj shihet duke pirë birrë, respektivisht duke e festuar fitoren me ish klubin e tij Fürth.