Sport

Dervishaj, trajner volejbolli në Ligën e Parë të Zvicrës

Shefi sportiv i TVS, David Bühlmann: "Dervishaj përshtatet qind për qind në profilin e kërkuar nga ne”

Klubi i volejbollit TV Schönenwerd nga Schönenwerd afër Oltenit ka zgjidhur problemin e trajnerit për skuadrën e tij NLA (Liga e Parë Nacionale). Pasi që ekipin e ka lënë trajneri i deritashëm Marco Bonaria, atë do ta marrë në dorëzim trajneri shqiptar Bujar Dervishaj.

Dervishaj 46 vjeçar është një ish volejbollist dhe trajner cilësor i volejbollit. Ish lojtari i përfaqësueses së ish Jugosllavisë në volejboll, nga viti 2010 punon si shef i shkollës së talenteve të federatës së Volejbollit të Aargaut.

Në sezonin e kaluar ai ka futur në playoff të ligës së parë skuadrën e meshkujve TVS, shkruan Oltner Tagblatt. Para se Bujari, në vitin 2007 të shpërngulej me familjen në Zvicër, ai kishte jetuar për një kohë të gjatë në Gjermaninë e Veriut ku dhe kishte punuar si trajner i volejbollit.

Shefi sportiv i TVS, David Bühlmann flet për një zgjidhje çfarë e kanë dëshiruar dhe thotë se së bashku me Devishajn do të angazhohen për stimulimin e talenteve të reja. “Pasi që ne në strategjinë tonë mbështetemi në radhë të parë te talentet e reja zvicerane, Dervishaj përshtatet qind për qind në profilin e kërkuar nga ne”.