Lajme

Dështon zgjedhja e presidentit, Shqipëria në krizë politike

Kundër zgjedhjes së presidentit ka dal partia opozitare e Lulzim Bashës (Partia Demokratike), e cila po kërkon qeveri teknike para se të zgjidhet presidenti. Në anën tjetër, kryeministri Rama po bënë fushatë elektorale  

Shqipëria është futur në një krizë politike, pasi Kuvendi i Shqipërisë ka dështuar për të dytën herë me radhë, ta zgjedh presidentin e ri të vendit, në mungesë të një ose më shumë kandidatëve. Kundër zgjedhjes së presidentit ka dal partia opozitare e Lulzim Bashës (Partia Demokratike), e cila po kërkon formimin e një qeverie teknike, para se të zgjidhet presiden

Por, nëse vazhdon kjo praktikë, atëherë Shqipëria edhe pa dëshirën e PD-së, shkon në zgjedhjet e reja parlamentare, më së largu deri në korrik të këtij viti. Zgjedhjet e rregullta edhe ashtu janë parashikuar të mbahen me 18 qershor, por po kundërshtohen ashpër nga PD, e cila po thotë se nuk ka klimë për zgjedhje.

Koalicioni qeverisës mungesën e kandidaturave për president e arsyeton me përpjekjen për të gjetur bashkë me opozitën një kandidaturë konsensule. Mirëpo, opozita që kur është në protestë, prej dy muajsh, ka deklaruar se nuk do të përfshihet në zgjedhjen e presidentit të ri, nëse nuk krijohet një qeveri teknike, që do të garantonte zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Nëse presidenti nuk zgjidhet deri më 24 maj, kur përfundon afati ligjor, atëherë kuvendi shpërndahet dhe vendi shkon në zgjedhje të parakohshme që duhet të zhvillohen pas 45 ditësh, duke anuluar zgjedhjet e rregullta të dekretuara të zhvillohen më 18 qershor.

Opozita e bashkuar me në krye Partinë Demokratike, ndërkaq ka vendosur intesifikimin e protestës qytetare në të gjithë Shqipërinë, duke nisur nga dita e hënë, kur kanë paralajmëruar bllokimin e trafikut.

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha deklaroi se opozita ka qenë dhe është më e bashkuar se kurrë për të qenë në ballë të kësaj lëvizje deri në fitore. “Duke ruajtur si pishtar, si monument çadrën e lirisë 24 orë në ditë, por duke e shtrirë protestën në mbarë vendin. Ditën e hënë të gjithë shqiptarët bashkohemi mes orën 11:00 dhe 12:00 në bllokimin e trafikut në të gjithë Shqipërinë”, tha Basha.

Sipas tij, nuk ka zgjedhje fasadë dhe nuk ka kompromis me ëndrrën e shqiptarëve, por ka një gatishmëri për dialog që i shërben zgjidhjes.

“Ne vijmë me kërkesat e shqiptarëve, që përbëhen nga dy pjesë të lidhura. Hapi i parë, qeveri teknike me mbështetje të gjerë politike. Hapi i dytë mandati i kësaj qeverie, që ka të bëjë me zbatimin e dekriminalizimit dhe luftën kundër drogës, votim dhe numërim elektronik në zgjedhje”, shtoi Basha.

Basha shtoi se ftesa e opozitës është që së bashku t’i japim fund Republikës së Vjetër dhe të hapim rrugën me një pakt kombëtar.

Kurse, kryeministri dhe kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama zhvilloi një takim elektoral me të rinjtë që votojnë për herë të parë në Durrës. Ai kërkoi voton e tyre për të ndërtuar në Shqipëri një shtet si në çdo vend të Evropës.

Rama që është i bindur se do të ketë zgjedhje, tha se “zgjedhjet e 18 qershorit janë një garë ku politikanët duhet të jenë lojtarë dhe jo spektatorë”, duke ironizuar qëndrimin e kreut të opozitës Lulzim Basha.

“Kam një fjalë për tifozët e Barcelonës, mos u mërzisni fare se ju keni Messin, ata kanë Saliun. Ju keni Neimar ata kanë Lulin. Në fund të fundit miqtë e mi, futbolli është shfaqje, në të gjithë jemi spektatorë. Kur mbaron ndeshja, s’ka rëndësi kush fiton, ndërsa beteja për 18 qershorin nuk është shfaqje dhe ne s’jemi spektatorë. Jemi lojtarë dhe beteja bëhet për Shqipërinë që duam, që e duam shtet, me punë, me mirëqenie”, tha ai.

Ndryshe, polarizimet politike në Shqipëri, kanë ndikuar që vendi të ngecë në shumë drejtim. Në aspektin integrues, Shqipëria ka mbetur mbrapa vendeve të tjera kandidate për në BE, për shkak të mosmiratimit të reformës në drejtësi, dhe luftës fragjile kundër narkotikëve.