Kultura

Doli sjell në Tiranë një mega-show

Ky eveniment artistik, ku do të spikasë bukuria e muzikës shqiptare, do të transmetohet nga një numër televizionesh në Europë, Azi dhe SHBA

Shkëlzen Doli, violinisti shqiptar me famë botërore, është ideator dhe udhëheqës artistik i projektit muzikor që do të mbahet më 23 shtator në Tiranë në sheshin “Skënderbej”.

Ky eveniment artistik, ku do të spikasë bukuria e muzikës shqiptare, do të transmetohet nga një numër televizionesh në Europë, Azi dhe SHBA.

Nën udhëheqjen artistike të Dolit do të ngjiten në skenë rreth 70 instrumentistë virtuozë nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia, raporton “Top-Channel”.

Një surprizë e bukur në këtë koncert do të jetë pjesëmarrja si të ftuar specialë të disa artistëve të mëdhenj, emrat e të cilëve do të zbulohen në shtator.

Ky eveniment do të mirëpresë në sheshin “Skënderbej” artëdashës nga gjithë trojet shqipfolëse, diaspora, por dhe shumë turistë të huaj.

Bazë e këtij evenimenti do të jetë muzika shqiptare, por në program do të ketë dhe pjesë të zgjedhura nga muzika klasike ndërkombëtare.

Ky eveniment pritet të kthejë Tiranën në datat 22, 23 dhe 24 shtator në një nga destinacionet turistike më të frekuentuara të Ballkanit.