Sport

Edhe një fitore e Haxhi (Robin) Krasniqit

Haxhiu tregoi se është kandidat serioz për ta fituar titullin kampionit botëror në kategorinë gjysmë të rëndë

Boksieri nga Juniku i Kosovës, Haxhi (Robin) Krasniqi ka arritur që të shënojë fitoren e radhës në karrierën e tij ndaj amerikanit, Max Heyman, të premten mbrëma në Magdeburg të Gjermanisë.

Ashtu siç ishte pritur, Krasniqi arriti që me lehtësi ta kalojë tutje boksierin amerikan, duke e mposhtur me nokaut teknik që në raundin e tretë.

Haxhiu, që u përkrah nga bashkatdhetarë shqiptarë para dhe gjatë meçit, tregoi se është kandidat serioz për ta fituar titullin kampionit botëror në kategorinë gjysmë të rëndë. Kjo fitore ndaj Heyman, tashmë e ka vënë në ‘pole position’ Krasniqin për të luftuar për titullin WBO ndaj britanikut, Nathan Cleverly.

Ajo që ka mbetur është caktimi i datës, që sipas të gjitha gjasave do të jetë marsi i viti të ardhshëm. Fitorja ndaj Heyman ishte e 39-ta në karrierën e Haxhiut dhe e 15 me nokaut. Ai ka edhe dy humbje të pësuara. Për Heyman ishte disfata e 12 në karrierë Ndërkohë, pas meçit boksieri junikas ishte jashtëzakonisht shumë i lumtur, duke thënë se kjo luftë ishte sikur ndonjë meç për titull të kampionit botëror, transmeton Orainfo.

“Kjo luftë ishte sikur të luftoja për titull të kampionit botëror. Ëndrra ime është të bëhem kampion botëror dhe shpresoj kjo do të ndodh që në sfidën e radhës. Për këtë do të jepja gjithçka nga vetja”, është shprehur Haxhi Krasniqi.