Integrimi

Ëndrra e “italianit” shqiptar, përfundon në Aeroportin e Munihut

Kur njëri nga policët filloi të fliste italisht me të, ai reagoi shpejt me refleks duke dhënë përgjigjen e duhur në gjuhën shqipe

«Pasaporta italiane nuk të bën italian». Nga kjo maksimë janë nisur policët federalë në Aeroportin e Munihut kur kanë vendosur ta verifikojnë edhe njëherë personin që kishte treguar këtë pasaportë, shkruan idowa.de.

Dhe që në hapin e parë kanë zbuluar se “italiani” ishte në të vërtet një shtetas 20 vjeçar i Shqipërisë, përcjell albinfo.ch. Policët thonë se ai ka bërë dy gabime fillestarësh: së pari, ka nënçmuar italishten e policëve dhe së dyti, pamja e tij nuk dukej shumë “italiane”.

Në fakt, kur njëri nga policët filloi të fliste italisht me të, ai reagoi shpejt me refleks duke dhënë përgjigjen e duhur në gjuhën shqipe, transmeton albinfo.ch.  Kështu, policët pas një hulumtimi të shkurtë erdhën në përfundimin se pasaporta italiane ishte e vjedhur dhe e falsifikuar me identitetin e një italiani.

Përveç pasaportës, shqiptari i ri e kishte të falsifikuar edhe patentshoferin dhe një kartelë sigurimi shëndetësor, të gjitha italiane. Ai ishte nisur të shkonte drejt Londrës ku i ishte premtuar një jetë më e mirë.

Sidoqoftë, rruga për në Londër mori fund për shqiptarin në Munih. Këtu është bërë një kallëzim penal ndaj tij për falsifikim dokumentesh mirëpo ai, pas marrëveshjes me zyrtarët e entit për të huaj në Erding do të dëbohet për në Shqipëri që sot.