CH-Ballkani

Evropës i duhet një strategji e vetë mbrojtëse

Süddeutsche Zeitung: Joschka Fischer ( nga viti 1998 deri më 2005 ministër i Punëve të Jashtme të Gjermanisë dhe vicekancelar i Gjermanisë)

 

Evropa është mbërthyer mes presidentit të ardhshëm amerikan, Trump, dhe shefit të shtetit rus, Putin. Evropa duhet të veprojë dhe nuk mund të qëndrojë gjatë si një « saft power» («fuqi e butë»).

Ky vit duket të jetë një vit vendimtar për Evropën pas shokut të Brexit-it dhe zgjedhjes së Donald Trump për president të SHBA-ve. Zgjedhjet në Francë, Gjermani, Holandë dhe ndoshta edhe në Itali do të vendosin për atë se a do të vazhdojë të qëndrojë BE-ja apo do të shkatërrohet nga valët nacionaliste në pothuajse të gjitha shtetet anëtare të saj.

Në këtë vit Brexit-i do të marrë formësimin serioz dhe me këtë edhe përgjigjja në pyetjen e raporteve të ardhshme mes BE-së dhe Britanisë së Madhe. Dhe, që në janar, Donald Trump do të bëhet presidenti i 45-të i SHBA-ve. Për Evropën kjo datë do të mund të ketë një cezurë dramatike. Nëse deklarimet e deritashme të Trump-it merren si bazë e politikës së tij të ardhshme, atëherë BE-ja do të ndodhet para tronditjes së saj të thellë. Trump-it as që i bën për integrimin evropian, derisa nuk është kështu kur është në pyetje nacionalizmi në rritje në të gjitha vendet anëtare të saj. Po të njëjtin qëndrim ndaj kësaj çështjeje e ka edhe homologu i tij rus.

Wladimir Putin përpiqet qe një kohë të gjatë ta destabilizojë BE-në përmes nxitjes së forcave dhe lëvizjeve nacionaliste në shtetet e saj anëtare dhe , nëse ky trend në të ardhmen përkrahet edhe nga Uashingtoni, atëherë BE-ja e gjendur në klinçin e kontrollit rus dhe të «Breitbart News» (një faqe politike e lajmeve dhe e opinioneve të orientimit të  djathtë konservator amerikan – përkthyesi) do të ketë mjaft për të bërë.

Konsekuenca edhe më të  mëdha për Evropën e me këtë edhe për BE-në do të ketë paralajmërimi i presidentit amerikan e rishikimit të garancive të sigurisë për Evropën dhe vendosja e marrëdhënieve amerikano – ruse mbi një bazë të re. Po të ndodhë ky ndryshim në kurriz të NATO-s, kjo do ta ndërronte situatën e sigurisë në Evropë në mënyrë radikale. Evropianët do të ishin befas krejt të vetmuar dhe atë në një kohë kur Rusia me forcën e mjeteve  ushtarake vë në pyetje kufijtë e fqinjit të saj perëndimor Ukrainës dhe me këtë synon sërish hegjemoni të paktën në Evropën Lindore.

Përgjigjen në këtë pyetje do ta dimë së shpejti, por një dëm i madh tashmë veç ka ndodhur, sepse garancitë e sigurisë janë një çështje e komplikuar. Ato konsistojnë në të shumtën e rasteve nga harduerë ushtarakë, por ato jetojnë edhe nga një komponentë e rëndësishme psikologjike – nga besimi i miqve dhe i armiqve. Po u cenua kjo komponentë, mund të vijë deri te reagimet e gabueshme bile edhe tek konfliktet ushtarake. Por pikërisht këtu ka ndodhur tashmë një dëmtim, sepse deklarimet e kandidatit Trump e kanë rrëzuar besimin në garancinë amerikane të sigurisë.

Duke pasur parasysh këtë gjendje, Evropa do të ishte mirë e këshilluar po që se atë që e ka arritur ta ruante duke koordinuar sigurinë e saj me NATO-n dhe duke ruajtur integrimet institucionale, ekonomike dhe juridike të arritura në BE. BE-ja do të duhej që njëkohësisht ta hapte edhe opsionin e sigurisë së mbështetur në shtetet nacionale, sepse BE-ja si një “saft power” as është e përgatitur e as është e konstruktuar për një gjë të tillë. Ajo varet në këtë pikë nga dy shtetet e saj më të forta – Franca dhe Gjermania. Vendet e tjera si Italia, vendet e Beneluksit, Spanja dhe Polonia nuk duhet të përjashtohen në këtë, por Franca dhe Gjermania janë të pashmangshme.

Moska e konsideron politikën e jashtme si një loje të shumës zero: unë fitoj, ti humb

Të jetosh në kontinentin evropian do të thotë të jetosh me Rusinë si fqinje dhe fqinjësia mbështet në përgjithësi në paqe, kooperim dhe respekt të ndërsjellë, veçanërisht kur ke të bësh me një fqinjë që është fuqi atomike. Dhe evropianët në të ardhmen guxojnë më pak se asnjëherë më parë të kenë iluzione. Në Moskë politika e jashtme nuk konsiderohet si lojë “win – win” ( të dy fitojnë), por si një lojë e  shumës zero ( unë fitoj, ti humb). Për këtë arsye, për një mentalitet të tillë forca ushtarake dhe zonat e influencës kanë gjithnjë  përparësi ndaj bashkëpunimit në çështjet e sigurisë.

Dobësia e fqinjëve nuk shihet si bazë e një arkitekture të qëndrueshme të paqes, por shumë më tepër si grishje për shtrirjen e zonës së influencës. Prandaj, nëse Evropa synon paqe të përhershme në kontinentin evropian, atëherë këtë çështje duhet që në radhë të parë ta trajtojë me seriozitet. Kjo tash për tash shihet qartë se nuk po ndodh. Por në erën Trump, pa garancinë e sigurisë amerikane, Evropa do të jetë e detyruar ta forcojë aftësinë e saj mbrojtëse. Këtë mund ta bëjnë vetëm Franca dhe Gjermania si të bashkuara. Deri te kjo duhet të vijë pas marrjes së postit nga Trump dhe pas zgjedhjeve në të dy vendet në këtë vit.

Pa një minimum serioz të simetrisë politiko-ushtarake vështirë se mund të merret me mend një rend i qëndrueshëm i paqes. Asimetria do t’i kontribuojë shumë më tepër destabilitetit dhe jo paqes. Nëse ky opsion i dytë i sigurisë evropiane do të përkrahet nga një garanci e përhershme amerikan e sigurisë, atëherë aq më mirë. Edhe me Britaninë do të mund të bashkëpunohej pa marrë parasysh brexit-in, sepse interesat e sigurisë së vendit nuk ndryshojnë edhe përkundër brexit-it.

Diplomatët evropianë prapa perdeve shushurijnë se Gjermania dhe Franca në dy çështje nuk mund të pajtohen asnjëherë – në çështjen e financave dhe në atë ushtarake. Për këtë dallimet historike dhe kulturore janë shumë të mëdha. Nëse nuk arrihet kjo, atëherë Wladimir Putin dhe Donald Trump do ta ridefinojnë  edhe ketë pjesë të realitetit evropian. Por nëse i shikojmë faktet, atëherë kompromisi në të dy anët e Rajnit nuk do të duhej të ishte i vështirë. Thënë shkurt Franca posedon përvojë qartazi më të madhe në çështjet strategjike dhe të sigurisë, kurse në çështje të financave preferohet modeli gjerman.

BE-ja e vjetër do të mund të zhvillohet si forcë ekonomike nën garancinë e sigurisë amerikane, por nëse ky dimension bie, atëherë asaj s’i mbetet gjë tjetër veçse të krijojë edhe vetë një dimension ushtarako-politik. Franca dhe Gjermani edhe njëherë, pas gjashtëdhjetë vitesh të ratifikimit të kontratave të Romës ( kontratat për krijimin e BE-së – përkthyesi), po sfidohen nga historia për ta krijuar Evropën.

Përkthimi: Nexhmedin Gerguri