Autotech

FaceTime i shpëtoi jetën

Një grua që pati sulm teksa fliste me motrën e vet përmes FaceTime, thotë se teknologjia ia shpëtoi jetën.

Opokua Kwapong, që jeton në New York, ishte në një bisedë me motrën e vet Adumea Sapong nga Manchesteri i Britanisë së Madhe, kur motra e vogël vuri re se Opokua nuk ishte mirë.

Ajo kishte alarmuar menjëherë kur pa se edhe zëri i motrës ishte heshtur.

“Motra ime më shikonte dhe më thoshte se diçka s’jam mirë. Ajo po ashtu më tha se po i shqiptoj keq fjalët, por mendoja se vetëm po bënte shaka dhe nuk i besoja”, ka thënë Kwapong, transmeton Albinfo.ch.

Në anën tjetër Sapong ka deklaruar se motra i kishte thënë që ka pasur probleme së fundmi, ndërsa “unë i thash ndoshta duhet të pish ndonjë bar”.

“Më pas vura re në video se fytyra po i binte, i thash të ngrihej shpejt dhe të shkonte te doktori. Ajo mendoi se po e teproja dhe e thirra shpejt një motër tjetër, doktoreshë, që t’ia dëgjonte zërin dhe t’i thoshte të njëjtat që i thash unë”, ka deklaruar motra e vogël.

Pasi kishte dëgjuar të dy motrat, Kwapong thirri ndihmën e shpejtë dhe pas skanimeve mjekësore u diagnostikua me mpiksje në tru. Sulmi e ka lënë të paralizuar në anën e saj të majtë.

“Nuk ka dyshim që FaceTime më shpëtoi jetën. Nëse motra ime nuk do të vërente që diçka s’është mirë, gjërat do të ishin ndryshe. Jo vetëm që më shpëtoi jetën teknologjia, por tani po ashtu më mundëson të jetoj jetën time. Shikoj shumë video konferenca pasi s’jam në gjendje të udhëtoj shumë siç bëja me punën e shkuar”, ka deklaruar Kwapong.