Futbolli Shqiptar në Zvicër

“FC Kosova”, klubi më i suksesshëm i migrantëve në Zvicër

FC Kosova është klubi i vetëm shqiptar dhe i migrantëve në Zvicër në përgjithësi, që ka garuar në Ligën e parë të Zvicrës

Është më shumë sesa një ekip futbolli. Është pjesë e identitetit të bartësve të tij dhe një familje e dytë e tyre në Zvicër. Janë shumë tifozë që i shkojnë pas në çdo lojë, me daulle e flamuj, duke treguar se janë krenarë me djelmoshat e një ekipi të futbollit që përfaqëson Kosovën.

Është fjala për FC Kosovën, klub që ka lënë gjurmë ndër vite në Cyrih me më së shumti shikues në stadiumet e ligave të dyta interregjionale të Zvicrës.

Klubi përbëhej në fillim nga emigrantët që vinin nga Kosova, po edhe nga trevat e tjera shqiptare. Kishte filluar nga fundi i ligave të futbollit zviceran. Tash të gjithë janë futbollistë të gjeneratës së dytë, talente futbolli “sekondo” që ngjiten lart në ligën e dytë interregjionale të Zvicrës.

Për më tepër, FC Kosova Cyrih tash ka tetë ekipe e shumë lojtarë dhe nga një ekip për secilën moshë, nga 7 vjeç deri te seniorët, gjithsej 181 lojtarë. Krenaria e veshjes së fanellave kuq e zi shihet te secili nga lojtarët, junior e senior.

Këtë verë bëhen 23 vjet që kur është themeluar klubi shqiptar që ka kaluar në periudha dhe sfida të ndryshme. FC Kosova Cyrih ekziston nga viti 1994 dhe deri tani pos sukseseve sportive, ka arritur që rreth vetes të grumbullojë edhe shumë të rinj nga të gjitha hapësirat shqiptare.

Deri tash suksesi më i madh për FC Kosovën ka qenë kalimi në Ligën e parë të Zvicrës, duke u bërë kështu klubi i parë i migrantëve që ka arritur diçka të tillë.  Pastaj suksese të dalluara janë edhe mbërritja deri në gjysmëfinale të kupës së Zvicrës nga skuadra e seniorëve, 2 herë finaliste e kupës së Lidhjes Futbollistike të Regjionit të Cyrihut dhe 1 herë fituese e kupës së e Lidhjes Futbollistike të Regjionit të Cyrihut.

Fillimet e para, që në vitet 80’

Dikur në Kantonin e Cyrihut ishin disa grupe futbollistësh, por më e dalluara ishte fillimisht shoqëria “Rilindja” dhe më vonë shoqëria “Albaner Boys”. Kjo ishte në vitet e fundit të ‘80-ve dhe nga fillimi i viteve të ‘90-ta.

“Fillimisht për shkak të disa obligimeve administrative dhe teknike, klubi shqiptar “Përparimi” në Cyrih nën drejtimin e Avni Bunjakut u detyrua të zhvillojë aktivitetin nën ombrellën (nënseksion) e klubit të atëhershëm italian “Venusio Calcio”. Ndërsa më vonë, pasi numri i të interesuarve rritej, u organizuan disa takime me aktivistë të ndryshëm të asaj kohe dhe pas konstituimit të kryesisë dhe pranimit të FC Kosovës nga FVRZ, ëndrra e shumë shqiptarëve u bë realitet”.

Pas shumë takimeve dhe punëve të bëra në atë kohë, 1994-a ishte viti kur anëtarët iniciatorë të këshillit themelues të FC Kosovës dhe më pas të paraqitur në Lidhjen Futbollistike të Regjionit të Cyrihut ishin siç vijon: kryetar, Hamdi Raçi, nënkryetar Avni Bunjaku, sekretar Shemsedin Ismajli, arkëtar dhe udhëheqës sportiv Nevzad Musliu, udhëheqës teknik dhe trajner Sepp Hess. Përgjegjës për sponsorë, Shaban Hajdari, masazhist, Milaim Misini.

Duhet pasur parasysh se “FC Kosova” në Cyrih prapa kryesisë kishte një numër të konsiderueshëm të futbollistëve cilësorë, të cilët dëshmuan me vite se janë futbollistë, por edhe sportistë të mëdhenj. Tani disa nga ata i gjejmë ende aktivë në struktura të ndryshme të FC Kosovës, por edhe si futbollistë te seniorët.

Kështu, nga kampionati i vitit 1995-1996 “FC Kosova” filloi të garonte me emrin që edhe sot e mban, “FC Kosova”. Edhe në atë kohë suksesi i kuqezinjve të “FC Kosovës” nuk ka munguar. Ata janë ngjitur deri në ligën e tretë regjionale të Zvicrës. Ndërsa në vitin 2001-2002 ekip kaloi për herë të parë në ligën e dytë regjionale, për t’u kthyer një vit më vonë në Ligën e 3-të.

Daullja, e pranishme në të gjitha ndeshjet

Deri tani qindra futbollistë shqiptarë kanë kaluar nëpërmjet FC Kosovës, që është një ndër klubet më të suksesshme të migrantëve në Zvicër. Klubi ka lënë gjurmë edhe te vendësit, me numrin më të madh të shikuesve nëpër tribuna. „Daullja ka bërë jehonë në çdo lojë të FC Kosovës dhe na ka dalluar si shqiptarë. Publiku ka qenë motivimi i madh për futbollistët.

„Qëllimi i krijimit të klubit nuk ka qenë vetëm të luajmë futboll, por edhe t’i largojmë të rinjtë nga rruga. FC Kosova ka luajtur një rol të rëndësishëm në shoqërinë zvicerane. Duke luajtur futboll, të rinjtë tanë në aspektin social kanë përfituar kulturë sportive të komunikimit me komunitetet e tjera“, thotë për albinfo.ch Arsim Hyseni, kryetar i klubit. “Ne si klub po bëjmë të pamundurën të tregojmë se si komunitet jemi integruar mirë në shoqërinë zvicerane. Si ekip emigrantësh gjithmonë ishte përballur me probleme financiare, ngase mungonte përkrahja nga afaristë të mirëfilltë shqiptarë që veprojmë në Zvicër”.

FC Kosova mbetet krenaria e shqiptarëve në Zvicër, sepse janë vlera që duken dhe janë vlerësuar nga Lidhja Futbollistike e Zvicrës. Ne iu kemi treguar zviceranëve se nuk merremi vetëm me politikë. FC Kosova ka qenë dhe mbetet ambasador i shqiptarëve në Zvicër, para së gjithash e shqiptarëve në Kanton Zürich.

Viti 2006, vit i kthesës

Më 2006 Klubit i bashkohet Arsim Hyseni. Jo si futbollist, ngase ai nuk ka luajtur kurrë futboll, por si kryetar i klubit. I pasionuar pas futbollit, Hyseni është bërë pjesë e pandashme e ekipit, kuptohet në strukturat organizative. Ai e kishte gjetur në gjendje kritike financiare me premtimin e strukturave organizative për të udhëhequr klubin.

Kryesia e FC Kosovës aktualisht udhëhiqet nga 7 anëtarë. Klubi komplet vetëfinancohet nga sponsorët, të hyrat nga shikuesit, anëtarët pasivë dhe prej anëtarësisë aktive. “Prej 2006 e deri sot nuk ka ndodhur të kemi ndonjë vërejtje për ndonjë mospagesë të klubit. Nëse klubit i kanë munguar mjetet, atëherë i kam paguar faturat me të hollat e mia. Deri më tash sponzorisuesit nga bizneset, pagesat e anëtarësimit dhe një shumë e vogël e mbledhur nga biletat mund të përmbyllin shpenzimet”, tha Arsim Hyseni.

FC Kosova ka një bazë solide financiare, por i gëzohet çdo ndihme që vjen nga jashtë, ngase klubi ka vizion për zhvillim edhe në të ardhmen, për kalim në rang më të lartë garash.

Së paku 60 % të lojtarëve të jenë shqiptarë

Kryetari i klubit, Arsim Hyseni, i tha albinfo.ch se klubi po ruan identitetin që ka krijuar nga shqiptarët. “Duke e respektuar pozicionin tonë në shoqërinë zvicerane, klubi ka qenë dhe do të mbetet një familje që përfaqëson komunitetin shqiptar. Ndërkohë është duke u zhvilluar në një klub për tërë Cyrihun dhe Zvicrën”, thotë Hyseni.

Ndërkohë, struktura e repartit të juniorëve të FC Kosovës, por edhe e ekipeve aktive në masë të vogël ka filluar të përzihet nga etnitete të ndryshme futbollistësh. Udhëheqësit e klubit e arsyetojnë këtë si hap drejt integrimit të të rinjve në shoqërinë zvicerane. “Krejt kjo ndodh për shkak se lojtarët shqiptarë i ftojnë shokët e nacionaliteteve të tjera për të luajtur futboll në klubin tonë dhe të tyre”, tha Hyseni.

Deri tani  Hyseni tha se futbollistët kanë luajtur për shtetin dhe popullin e tij, por vë në pah se klubi FC Kosova është një lloj makine e rëndësishme për integrim në Zvicër. Megjithatë, ai insiston se do të ruhet trungu që ekipi i FC Kosovës të përfaqësohet nga shqiptarët.

Kryetari i klubit FC Kosova Cyrih ka falënderuar të gjithë ata që në një mënyrë apo tjetër kanë ndihmuar aktivitetet e klubit. “Falënderoj sponsorët, lojtarët dhe një mirënjohje e veçantë i dedikohet të ndjerit Qaush Avdijaj, i cili me vite të tëra ishte aktivist i zellshëm i klubit tonë”, thekson Hyseni.

Rekordi i Haxhiut: 55 gola për një sezon

Fazli Haxhiu tashmë është “pensionuar” nga futbolli. Në historikun 23 vjeçar të klubit, vlerësohet të jetë golashënuesi më i mirë i të gjitha kohëve, me 55 gola të shënuar në një kampionat. Ai ishte ndër më meritorët për kalimin e FC Kosovës në atë kohë në Ligën e Dytë interregjionale.

Suksesi më i madh 

Suksesi më i madh në historikun e klubit është kalimi në Ligën e Parë të Zvicrës në sezonin 2015-2016. Suksesi i radhës ishte në garat e Kupës ku mundën Hönng 3:2 dhe kjo i mundëson të takohet me klube si: Basel, Young Boys, Grasshopper, Zurich etj.

Rikthimi në Ligën e Parë të Zvicrës

Synimi i kësaj skuadre është kthimit në Ligën e Parë të Zvicrës dhe gjasat janë reale, pasi FC Kosova është në vendin e parë. Ky është një tjetër sukses për skuadrën e Kosovës, që me plot meritë është lidere në Ligën e Dytë Interregjionale, grupi i gjashtë

Enver Osmani konsiderohet si trajneri më i suksesshëm, pasi mbi dhjetë vite e udhëhoqi ekipin.

Juniorët

Kjo skuadër ka shtatë ekipeve të grupmoshave të reja me rreth 120 lojtarë të moshave prej 5-22 vjeçare, si dhe ka tri ekipe aktive. Aktualisht janë mbi 200 lojtarë aktivë, dhjetë trajnerë dhe dhjetë ndihmës

Trajneri i famshëm

Trajner i kësaj skuadre është gjermani Jürgen Seeberger, i cili më parë ka drejtuar klubet e mëdha si: Schaffhausen, Darmstad, Achlen, Stuttgart apo Winterthur.

 


 Të tjera nga Futbolli Shqiptar në Zvicër