Kultura

Helidon Haliti vjen në Gjenevë me ekspozitën “Natyrë e Virgjër”

Ekspozita e Helidon Halitit do të qëndrojë në ambientet e "La Cité des Vents" nga data 25 shtator deri më 20 dhjetor  2017

Artet figurative shqiptare, mes iniciativës të disa shpirtërave “të shqetësuar” do të bëjnë një udhëtim në Zvicër dhe do të ndalen në Gjenevën e mrekullueshme, për ta prekur atë mes “Natyrës së Virgjër” të Shqipërisë dhe artit mjeshtëror, kontemporan, por edhe romantik, të të prikuarit me talent, piktorit shqiptar Helidon Haliti.

Iniciativa e ndërmarrë nga SAE (Swiss-Albania-Event), një “organizëm” i vogël eventesh që unë kam themeluar dhe drejtoj, dhe që operon në Zvivër, me qëllimin promovimin e kulturës – traditës Shqiptare,  ju fton dhe ofron, për disa muaj, të shijoni penelat e hedhur në telajo nga i shumëdashuri dhe i shumëvlerësuari, brenda dhe jashtë Shqipërisë, mjeshtri i pikturës dhe miku ynë Helidon Haliti.

Kontakti optik me pikturat e tij, do u përcjellë emocion. Pikturat e Helidonit peisazhe mes reales dhe imagjinares, mes ngjyrave dhe dritë-hijeve do ju gozhdojnë, si për t’ju kujtuar edhe një herë se, artet figurative statike në dukje, janë qenie të gjalla, që heshtur të flasin dhe mes ngjyrash të shoqërojnë pa të mërzitur.

Helidoni mes kësaj ekspozite që do të qëndrojë në ambientet e “La Cité des Vents ” Adresa: Rue Coupe Gordon-Bennett 3 – Le Lignon / Vernier, Switzerland, nga data 25 Shtator deri më 20 Dhjetor  2017, do të të sjellë tek shqiptarët dhe i gjithë publiku artdashës zviceran natyrën e bukur, herë-herë të magjishme deri në mrekulli të Shqipërisë sonë, që i detyrohemi për ta shëtitur dhe prezantuar kudo në botë, si një thesar të çmuar dhe si pjesë e së gjithës fizike, ekzistenciale.

Piktori ka aftësinë dhe mjeshtërinë të na e shfaqë Natyrën e Virgjër shqiptare me mjeshtëri të admirueshme, mes një forme që pak nga ne munden. Mes telajove do të gjeni piktorin herë të shkrirë tërësisht brenda tyre dhe herë kapriçioz për t’u imponuar mes fantazisë së tij, por jo me antagonizëm, por mes mjeshtërisë së artit, ku spikat detaji, si për të lexuar shpirtin dhe më pas për të përftuar të gjithën.

Do të doja të shkruaja pafund për artin dhe pikturën e Helidonit, por ajo që kërkoj sot prej të gjithëve ne, është që të jemi të gjithë së bashku në këto ditë, pranë dhe mes pikturave të Helidonit, mes një copëze Shqipërie të mbartur mjeshtërisht mes artit të penelit dhe ekspresionit të ngjyrave dhe skimës së dritë-hijeve të Helidon Halilit.

Do të qëndrojmë përpara pikturave dhe do të vëmë në lëvizje imagjinatën, si në përrallë do të udhëtojmë mes natyrës, me sy do të shohim shpirtin e fshehur të piktorit, por dhe do të ngjallim kujtime nga vendi që na lindi.

Ashtu si dhe muzika, e cila vë në lëvizje shpirtin mes ndjesive të tingujve, ashtu edhe tonet harmonike të ngjyrave dhe dritë-hijeve ngjasojnë me tinguj, që shpirti i përfton mes syrit, si një kompozim “pentagrami ngjyrash”.

Në fund do të doja ta mbyll këtë ftesë për ju të gjithë, me disa fjalë nga piktori i mirënjohur francez Paul Gauguin:

“Që dikush të gjykojë mbi një libër, i duhet të ketë inteligjencën dhe formimin e duhur teorik. Për të gjykuar një pikturë, përveç inteligjencës dhe formimit teorik, duhet të ketë ndjesi të veçanta përkundrejt natyrës.”

Ju mirëpresim për të ndarë nën aromën e Gjenevës, pak nga Natyra e Virgjër Shqiptare.

Adresa: Rue Coupe Gordon-Bennett 3 – Le Lignon / Vernier, Zvicër.

Nga ora 19.00