E-Diaspora

Humanizmi dhe angazhimi ndërkulturor në plan të parë

Përpos bashkëpunimit ndërkulturor në Pfaffenhofen, anëtarët e "Sali Çekaj" për prioritet kanë pasur qëllimin për të ndihmuar nevojtarët në atdheun e tyre

Shoqata kulturore shqiptaro-gjermane “Sali Çekaj” në Pfaffenhofen të Gjermanisë, tashmë ka festuar dhjetëvjetorin e themelimit të saj. Me 250 mysafirë nga e gjithë Gjermania, Zvicra, Shqipëria dhe Kosova, shoqata e ka festuar të dielën përvjetorin e saj të dhjetë në palestrën e stërmbushur të Shkollës Fillore “Joseph-Maria-Lutz”.

Mysafirët e veçantë ka mundur t’i përshëndesë udhëheqësi i manifestimit, Osman Ferizi dhe moderatori Hajriz Mamaj nga Berlini, në mesin e të cilëve konsujt e përgjithshëm të Kosovës dhe Shqipërisë, kryetarin e Shoqatës “Paneuropajugend Bayern”, Christian Hofer, si dhe Donika Gërvallën, kryetare e Degës së LDK-së në Gjermani.

“Jo gjithkush e di se ku gjendet Pfaffenhofen, por shqiptarët e dinë saktë pasi këtu është Sali Çekaj”, ka apostrofuar Donika Gërvalla me një theks të veçantë në angazhimin humanitar të shoqatës në Shqipëri.

Përpos bashkëpunimit ndërkulturor në Pfaffenhofen, anëtarët e “Sali Çekaj” për prioritet kanë pasur qëllimin për të ndihmuar nevojtarët në atdheun e tyre, shkruan “Donaukurier”, njofton Albinfo.ch.

Në këtë mënyrë, ata kanë ndërtuar katër shtëpi për të varfrit, të cilët mbetën pastrehë gjatë luftës në ish-Jugosllavi apo Kosovë dhe rinovuan shumë shtëpi të tjera. Shoqata i ndihmoi mbi 50 familje si dhe bonjakë që jetonin në varfëri ose pa strehë pas luftës.

Ajo gjithashtu ndihmoi një numër të sëmurësh që nuk kishin as mjete për të paguar për kirurgji, as trajtimin e nevojshëm mjekësor në Kosovë, kështu që ata duhej të shëroheshin jashtë vendit.

Për meritat e shoqatës ka folur edhe kryetari i shoqatave ndërkulturore gjermane në Pfaffenhofen, Sepp Steinbüchler. Përpos të gjitha meritave dhe punës së palodhshme të shoqatës shqiptare, ai ka theksuar se shumica e anëtarëve janë të besimit mysliman, por se kjo nuk u ka penguar që në oborrin e një kishe të vendosin shtatoren e Nënës Terezë. Sipas tij, ky është një shembull i suksesshëm i dialogut krishtero-islamik në kuptimin e vërtetë të humanizmit, përcjell Albinfo.ch.

Për themelimin, zhvillimin dhe aktivitetet e shoqatës ka folur kryetari Osman Ferizi. Shoqata “Sali Çekaj” ishte themeluar në vitin 2008, mirëpo, edhe që nga viti 1992 ka pasur paraardhës: Menjëherë pas arratisjes nga lufta në ish-Jugosllavi, shqiptarët në Pfaffenhofen themeluan një shoqatë humanitare me emrin “Fan S. Noli”.

Në vazhdim u mbajtën edhe disa fjalime për aktivitetet e shoqatës. Grupi i valltarëve të rinj, i udhëhequr nga Shemsi Haziri dhe Gazmend Dashi ofruan një program kulturor. Të ftuar ishin edhe dy artistë shumë të njohur nga Shqipëria, të cilët kishin ardhur enkas për këtë manifestim: Këngëtari Esat Ruka dhe Mirush Kabashi, padyshim aktori më i famshëm shqiptar.