Sport

Javë e varfër shqiptare në Super ligën e Zvicrës

Xhiroja e 27 e Super ligës Zvicerane në futboll sa i përket angazhimit të futbollistëve shqiptarë në klubet e tyre ishte e varfër

Në 6 ndeshje vetëm tre shqiptarë u angazhuan nga 90 minuta lojë, kurse dy u aktivizuan si rezervistë e një lojtar e filloi ndeshjen nga fillimi për tu zëvendësuar më vonë.

Në derbin e javës, në mes të Young Boys i treti dhe Baselit, lider i renditjes, ndeshje e cila u zhvillua në praninë e mbi 31 mijë shikuesve, ku rezultati përfundimtar ishte 3 me 3, u aktivizua tërë ndeshjen vetëm Granit Xhaka në petkun e Baselit. Ai edhe u ndëshkua me karton të verdhë në minutën e 30. Për Baselin nuk u aktivizuan fare Beg Ferati, Xherdan Shaqiri dhe Taulant Xhaka.

Në derbin lokal të qytetit të Cyrihut  në mes të FC Zurich dhe Grasshopper, fitore shënuan vendësit 1 : 0. Për klubin vendës, Admir Mehmedi e filloi takimin, për tu zëvendësuar në minutën e 74, kurse Ardian Nikçi hyri në lojë nga minuta e 63. Në radhët e mysafirëve Endogan Adili u aktivizua nga minuta e 66.

Muhamed Demiri me klubin e tij Thun si mysafir arriti të arkëtojë një pikë kundër Belinzonës. Demiri luajti tërë ndeshjen e Milaim Rama nuk u ftua për këtë ndeshje.Lucerni i Burim Kukelit, i cili luajti tërë ndeshjen, pësoi disfatë minimale 1 me 0 si vendës nga Sioni.

Në ndeshjen St Gallen kundër Neushatel Xamax, e cila përfundoi me rezultat të barabartë 1 : 1, Kristian Nushi për shkak të operimit të para disa ditëve, nuk u ftua për këtë takim.