Integrimi

Kandidati shqiptar me dy parti politike, kërkon votën për asamblist të Cyrihut

Vendlindja e tij është Prishtina, atje ka edhe partinë e tij të zemrës- „Vetëvendosjen“. Por ai nuk mendon të jetojë në Prishtinë. Dashurinë e jetës urbane, ka kohë që i ka rrëmbyer metropoli zviceran, Cyrihu.

“Nuk mund ta paramendoj të jetoj në një qytet tjetër, pos në Cyrih”, shprehet 28 vjeçari Luzhnica, prindërit e të cilit kanë braktisur Prishtinën kur ai ishte vetëm 2 vjeç.
Të gjitha kujtimet fëmijërore i ka në Cyrih. Nga Prishtina kujton vetëm gjuhën shqipe, të cilën e fletë rrjedhshëm dhe me krenari.

Ky politikan i ri, është kandidat i socialdemokratëve në zonën 3 (Wiedikon) të qytetit Cyrih në zgjedhjet e 4 marsit 2018 dhe kërkon votën e qytetarëve të kësaj zone me zotimin se do të punojë për një shoqëri të hapur dhe për të ardhura fer.

Ai është aktiv në dy parti politike, me SP-në Zvicrës në Cyrih, me të cilën angazhohet për punë të vogla, dhe tjetrën në Kosovë, me “Vetëvendosjen”, që synon zgjidhjen e problemeve të mëdha.

“Në Cyrih angazhohem që të gjithë qytetarët të kenë të drejtë vote edhe nëse nuk e kanë shtetësinë zvicerane, sepse edhe ata janë pjesë e shoqërisë dhe kontribuojnë në komunë me punë dhe tatime”, thotë Luzhnica që ka pesë vitë prej se është anëtarësuar në SP i nxitur nga një përjetim zhgënjyes në kohën kur vijonte shkollimin profesional.

Ai kujton si ishte angazhuar nga shkolla për një projekt ku i duhej ta intervistonte një politikan të SVP-së, i cili i kishte thënë se „Kriminaliteti tek të rinjtë ka një emër: të huajt!“.

Kjo kishte qenë një goditje e rëndë për Luzhnicën, por ai e kuptonte: kush dëshiron ti luftojë paragjykimet, duhet të bëhet vetë aktiv dhe kështu përgjigjen më të mirë ai do t’ua jepte politikanëve të tillë duke marrë përgjegjësi në parti politike, siç është rasti tani me garën për postin e këshilltarit komunal dhe, duke i zgjedhur pjesëtar i kryesisë së SP-së në seksionin 3, në Cyrih.

Krahas angazhimit në SP dhe fushatës zgjedhore për zgjedhjet komunale të Cyrihut, ai është aktiv edhe në partinë më të madhe të Kosovës, në LVV.
Në Zvicër ka dhjetëra anëtarë të socialdemokratëve me prejardhje sikur të Luzhnicës, të cilët angazhohen edhe në Vetëvendosje.

Emrin e Vetëvendosjes për herë të parë e kishte dëgjuar në vitin 2005, sa ishte një adoloshent. Asokohe bëhej fjalë për iniciativë qytetare në Kosovë, e cila më vomë u kurorëzuar në një parti poltike e cila e ka si pjesë të programit bashkimin e Kosovës me Shqipërinë.

Për Luzhnincën kjo nuk përben problem; “të dy partitë anagazhohen për shoqëri të hapur dhe paga fer”.
„LVV dhe SP i përkasin dyja spektrit të majtë dhe kanë program të përafërt. Dyja partitë anagazhohen për barazi sociale, për një shoqëri të hapur dhe për të drejta të punëtorëve. Mes SP-së dhe LVV ka një bashkëpunim të ngushtë dhe mbështetje në fushata“.

Në seksionin e Cyrihut ai koordinon bashkëpunimin e Vetëvendosjes me SP-në.
„Unë do të angazhohem për të gjithë qytetarët pavarësisht prejardhjes së tyre dhe kurrësesi nuk bëj dallime se cilën parti e votojnë“, siguron Luzhnica.

Sipas tij, shumica e shqiptarëve i takojnë shtresës së mesme dhe ai angazhohet për banesa me çmime të përballueshme për ta dhe premton se do e ngrisë saherë zërin kur në media njëlloset imazhi i shqiptarëve.

„Në Cyrih jetojnë shumë shqiptarë por ne nuk kemi asnjë përfaqësues në kuvendin komunal, besoj që nëse arrijmë të kemi një shqiptar në kuvend, kjo do të jetë në të mirën e imazhit tonë si komunitet“, thotë në fund të bisedës me albinfo.ch kandidati socilademokratëve që në zgjedhjet 4 marsit kërkon votën e qytetarëve të zonës së 3-të për një vend në asamblenë e qytetit Cyrih.