Kosova

KIE: Investimet e huaja direkte, të rëndësishme për zhvillimin ekonomik

Këshilli i Investitorëve Evropianë ka mbajtur Asamblenë e Përgjithshme, në të cilën është thënë se investimet e huaja direkte kanë një rëndësi të veçantë për zhvillimin ekonomik, transmeton albinfo.ch.

Drejtori ekzekutiv i KIE, Shpend Balija, ka thënë se Këshilli i  Investitorëve Evropianë është zëri i investitorëve evropianë.

“Synimi ynë është arritja e një rritje ekonomike, e cila është për mirëqenien e të gjithë qytetarëve tanë. Ne duhet të fokusohemi drejt zhvillimit ekonomik dhe mirëqenies së qytetarëve, duke synuar kështu përmirësimin e ambientit për sektorin privat, në mënyrë që sektori publik të mos shikohet si opsioni më i preferuar për punësim”, është shprehur Balija.

Më tutje Balija ka thënë se institucionet e Kosovës duhet ta kenë në fokus përmirësimin e imazhit të vendit në arenën ndërkombëtare. Ambasadore e Mbretërisë së Holandës në Kosovë, Gerrie Willems ka thënë se në Kosovë operojnë 12 kompani nga Holanda.

“Sfidat janë në katër kategori: sundimi i ligjit, më pak rregullore administrative, më pak ‘trakë e kuqe’ si dhe furnizimi me energji elektrike”, është shprehur Willems.