Integrimi

Krerët e subjekteve myslimane shqiptare, deklaratë laiciteti me shtetin e Zvicrës

Takimi mbahet të hënën më 20 mars në Bernë dhe është rezultat i një aktiviteti paraprak, mes autoriteteve zvicerane dhe dy subjekteve fetare shqiptare në Zvicër

Të hënën, më 20 mars  në Bernë do të kurorëzohet një nismë për nënshkrimin e një deklarate të krerëve të dy subjekteve që organizojnë jetën fetare të komunitetit mysliman ndër shqiptarët e Zvicrës. Ky takim është rezultat i një aktiviteti paraprak, mes autoriteteve zvicerane dhe dy subjekteve fetare shqiptare në Zvicër. Dekalarata është përgatitur në atë mënyrë që të reflektojë frymën e një bashkëpunimi, jo vetëm në mes dy subjekteve shqiptare Islame, por inkurajon dhe një bashkëpunim ndërfetar edhe me grupet religjioze jo islame që veprojnë në Zvicër.

Deklarata në thelb të saj ka të bëjë me zotimin e besimtarëve shqiptarë myslimanë të Zvicrës në favor të laicitetit të shoqërisë ku jetojnë.

“Synohet që përmes një deklarate të bëhet e qartë se dy bashkësitë që përfaqësojnë besimtarët shqiptarë myslimanë janë kundër çdo shfrytëzimi të religjionit për qëllime politike dhe ekstremiste. Po ashtu ata do të nënshkruajnë deklaratën e cila parasheh se asnjë rregull ose dispozitë fetare e çfarëdo lloji nuk mund të zëvendësojë ose nuk mund të jetë alternativë e ligjeve pozitive të Zvicrës, thotë për albinfo.ch Naim Malaj, ish ambasador i Kosovës në Zvicër, iniciator.

I pyetur përse duhet që dy shoqatat shqiptare ta bëjnë këtë nënshkrim, Malaj thotë se “ne si pjesëtarë të komunitetit shqiptar na përket të merremi me besimtarët e komunitetit tonë gjegjësisht me krerët e tyre. Nga ana tjetër, njihet tradita që ndër besimtarët shqiptarë myslimanë gjithmonë ka qenë dhe mbetet kombi para religjionit, kështu që në këtë pikë kemi një komponentë specifike. Po ashtu myslimanët shqiptarë përbëjnë numrin më të madh të të gjithë myslimanëve që jetojnë në Zvicër dhe është mirë që kur bëhet fjalë për ta, të flasin vetë dhe jo të jenë të tjerët që i përfaqësojnë.

Pajtimi i dy subjekteve, një hap që mund të pasojë

Pajtimi në mes të dy shoqatave që bëjnë bashkë besimtarët myslimanë shqiptarë në Zvicër nuk është objekt i këtij takimi, ka thënë Malaj. Por sigurisht nënshkrimi i përbashkët është një hap i cili mendojmë se duhet të pasohet nga hapa të tjerë, që do të m mundësojnë, pse jo edhe bashkimin e tyre.

Pyetjes së albinfo.ch se në çfarë cilësie është duke e marrë këtë nismë, Malaj i përgjigjet shkurt: “Në cilësi private, si Naim Malaj”.

albinfo.ch ka marrë me këtë rast prononcimet e krerëve të dy subjekteve që përfaqësojnë besimtarët myslimanë shqiptarë në Zvicër.

Nehat Ismaili

Kryetari i Unionit të Imamëve Shqiptarë në Zvicër, Nehat Ismaili, ka konfirmuar për albinfo.ch se të hënën, do të marrë pjesë në një takim të përbashkët me autoritete të larta zvicrane dhe përfaqësues të Bashkësisë Shqiptare Islame, me ç`rast do të nënshkruajnë një deklaratë e përbashkët e aprovuar dhe anëtarët e Unionit të Imamëve Shqiptarë në Zvicër.

Këtë moment Ismaili e vlerësoi si shumë të rëndësishëm. Ky takim tha ai, do të inkurajojë imamët që edhe në të ardhmen të vazhdojnë të punojnë në drejtim të kultivimit të vlerave islame, duke shfaqur kështu frymën e tolerancës dhe bashkëjetesës në Zvicër“.

I pyetur nga albinfo.ch se cili është qëllimi i kësaj deklarate Ismaili përgjigjet: „Kjo nismë ka të bëjë me konfirmimin e punës dhe aktiviteteve konstruktive të imamëve dhe vazhdimin e këtij aktiviteti, në frymën e tolerancës, bashkëpunimit dhe integrimin të myslimanëve në shtetin helvetik. Me këtë deklaratë edhe njëherë do të vërtetojmë angazhimin tonë të bashkëpunimit  dhe dialogut ndërfetar kudo në Zvicër. “ – deklaroi Nehat Ismaili, kryetarë i UISHZ-së.

Mustafë Memeti

Deklarata të mos mbetet vetëm në letër

Mustafa Memedi, kryetar i Bashkësisë Shqiptare Islame në Zvicër, lidhur me këtë takim tha:  „Nisma për të hartuar një deklaratë të tillë me autoritetet zvicerane, ka dy muaj që punohet, ndërsa brenda një jave i kemi harmonizuar qëndrimet me anëtarët e kryesisë“.

„Unifikimi i klerikëve shqiptarë myslimanë në Zvicër përkatësisht bashkimi i dy organizmave Bashkësia Shqiptare Islame dhe Unioni i Imamëve Shqiptarë në Zvicër, është një nga prioritetet tona“ u shpreh ai. Memedi më tej tha se „deklarata nuk duhet te ngelë vetëm në letër, por duhet të gjejë zbatim edhe në praktikë. Këtë, tha ai, nuk mund ta quajmë kontratë me shtetin zviceran, por një zotim që në të ardhmen, nuk do të lëkunden vlerat demokratike të shtetit helvetik“.

Imami Memedi, gjithashtu nënvizon që „deklarata paraprake nuk është e imponuar. Ne nuk jemi vetëm shqiptarë po edhe zviceranë, kështu që edhe ne na intereson ardhmëria e këtij vendi sikur vendasve“.

Ne prapaskenë, në kuadër të përpilimit të kësaj deklarate dhe afrimit të qëndrimeve të dy subjekteve islame shqiptare, kanë punuar shumë personalitete publike vendore, ndërsa rolin e ndërmjetësuesit e ka patur ish ambasadori i Kosovës, Naim Malaj.

Naim Malaj

Në evenimentin e nënshkrimit të kësaj deklarate do të jenë të pranishëm edhe ambasadorët e shteteve prej nga vijnë besimtarët shqiptarë myslimanë. Ambasadorja e Kosovës, zonja Nazane Breca, ai i Shqipërisë, Ilir Gjoni dhe i ngarkuari me punë i Amabsadës së Maqedonisë, Rafet Hajdari.

Albinfo.ch ka marrë prononcimet e zonjës Breca dhe z. Rafet Hajdari lidhur me këtë akt.

Nazane Breca

“Në vetë aktivitetin që zhvillohet të hënën në Bernë, ne si ambasadorë  jemi vetëm në cilësinë e përfaqësuesve të shteteve prej nga vijnë, pra nuk kemi ndonjë rol konkret përveç se miratimit të këtij akti. Por ne si ambasadë dhe konkretisht unë si ambasadore e Kosovës kemi qenë në rrjedhë sa u përket mosmarrëveshjeve në mes të këtyre dy shoqatave. Në këtë kuptim, në takimet që kam pasur me të dyja palët veç e veç, unë i kam inkurajuar që të bashkëpunojnë dhe të bashkohen, sepse kjo do të ishte në të mirë të komunitetit dhe të besimtarëve që përfaqësojnë”, ka thënë zonja Breca për albinfo.ch.

Ngjashëm shprehet edhe i ngarkuari me punë në Ambasadën e Maqedonisë në Bernë, z. Rafet Hajdari. Ai për albinfo.ch thotë se është një nismë e mirë e ish ambasadorit Malaj, “të cilën ne gjithsesi e përkrahim, sepse të gjithë jemi kundër ekstremizmit dhe shfrytëzimit për qëllime politike të religjionit të cilit i takojmë ne si shumicë. Ne kundërshtojmë ashpër shkuarjen e besimtarëve shqiptarë në “xhihad” pra në luftëra që nuk kanë të bëjnë asgjë me shqiptarët. Për këtë arsye e çmojmë si të qëlluar këtë nismë dhe do ta përkrahim”.

  

Rafet Hajdari

 

 

KUJDES ! TEKSTI YNË I KOPJUAR DO TË DENONCOHET DHE RAPORTOHET. PËRPOS NËSE...

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e albinfo.ch dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://www.albinfo.ch/kreret-e-subjekteve-myslimane-shqiptare-deklarate-laiciteti-me-shtetin-e-zvicres/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin. Redaksia e albinfo.ch.