Kosova

Krijues nga diaspora bashkohen në “Promenadë mërgimtare”

Këtë aktivitet letrar, i shndërruar tashmë në festival poezie, e hapi kryetari i Lidhjes së Krijuesve Shqiptarë të Mërgatës, Hasan Qyqalla

Edhe sivjet, në kuadër të takimeve tradicionale të krijuesve nga mërgata dhe diaspora, në Bibliotekën Kombëtare “Pjetër Bogdani” në Prishtinë u mbajt ora letrare “Promenadë mërgimtare” me krijues e shkrimtarë nga diaspora.

Ky aktivitet u organizua nga Ministria e Diasporës dhe Investimeve Strategjike, në bashkëpunim me Lidhjen e Krijuesve Shqiptarë nga Mërgatës, shkruajnë mediat vendore.

Aktiviteti letrar nisi me një minutë heshtje për nder të figurave të njohura të artit, politikës e kulturës që më nuk janë në mesin tonë: Adem Demaçi, Bekim Lumi, Ragip Syla dhe Sulejman Lokaj.

Këtë aktivitet letrar, i shndërruar tashmë në festival poezie, e hapi kryetari i Lidhjes së Krijuesve Shqiptarë të Mërgatës, Hasan Qyqalla.

“Jemi mbledhur rreth bërthamës së artit, meqë kujtoj se është forma më e përkryer e reflektimit të identitetit dhe kulturës sonë kombëtar dhe intensifikimit në mjediset ku jetojmë”, është shprehur Qyqalla, përcjell albinfo.ch.

Në emër të Ministrisë së Diasporës dhe Investimeve Strategjike, zv.ministri Faruk Nura tha se diaspora nuk kishte vetëm krijues, por kishte njerëz të të gjitha profileve që iu deshën atdheut tonë kur ishte në ditët më vështira.

“Do t’i keni dyert e hapura dhe do të trajtoheni si njerëz tanë, sepse jeni në vendin tuaj”, u shpreh Nura.

Në këtë aktivitet u promovuan shumë tituj librash, ndër ta: katër libra të Rexhep Jasharit; vepra poetike e Mentor Thaçit “Trungu”, “Çështja shqiptare në shtypin kroat”, i autorit Murat Ajvazi etj.

VIDEO