Bota

Meksikanët kundërshtojnë politikën e imigracionit të Trumpit

Disa aktivistë në Meksikë, kundërshtarë të politikave të imigracionit të presidentit amerikan, Donald Trump, i kanë dërguar një mesazh atij nëpërmjet një grafiti.

Arti i bërë në një mur nën urën e Mexico Cityt shfaq liderin amerikan me flamurin nazist në dorë. Nën të është një hartë e Meksikës dhe një shqiponjë duke jashtëqitur mbi kokën e tij, përcjell albinfo.ch.

“Zotëri Trump, Meksika duhet të respektohet. I përgjakur, i çmendur, racist”, shkruan aty. Muri në të cilin është bërë ky grafit është ndër vendet më të frekuentuara në kryeqytetin meksikan. Trump, një vit nga zgjedhja si president, ka shprehur pikëpamje negative për Meksikën, nga e cila, sipas tij, në Amerikë futet droga.

E gjithashtu insistoi që muri kufitar i Amerikës me Meksikën të paguhet nga kjo e fundit.